Drejtori i Rrjetit të Organizatave Joqeveritare AVONET, Kenan Gashi, ka reaguar lidhur me, siç e quan ai, mungesën e përgjegjësisë ligjore të disa zyrtarëve publikë, duke theksuar se mosrespektimi i ligjit nga institucionet dëmton rëndë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe në funksionimin e shtetit.
Gashi ka deklaruar se kur zyrtarët publikë nuk japin llogari për veprimet e tyre dhe nuk përballen me përgjegjësi për shkeljet eventuale, atëherë pushteti rrezikon të largohet nga misioni i tij për t’i shërbyer qytetarëve dhe të shndërrohet në mjet presioni ndaj tyre.
Sipas tij, në Komunën e Ferizajt janë vërejtur raste ku zyrtarë të caktuar kanë treguar qasje shpërfillëse ndaj kritikave publike dhe reagimeve për shkelje të mundshme ligjore, duke krijuar një perceptim se pozita zyrtare mund të shërbejë si mburojë ndaj përgjegjësisë.
“Kur krijohet bindja se askush nuk mban përgjegjësi për shkeljet ligjore, atëherë dobësohet besimi i qytetarëve në institucionet publike dhe në drejtësi. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht pozitës apo ndikimit që gëzon”, ka theksuar Gashi.
Drejtori i AVONET-it ka kërkuar më shumë transparencë institucionale, përgjegjësi dhe zbatim të ligjit pa përjashtime, duke theksuar se vetëm përmes ndëshkimit të shkeljeve dhe respektimit të rregullave mund të rikthehet besimi i qytetarëve në institucionet publike.
“Përgjegjësia, transparenca dhe sundimi i ligjit janë themeli i një shoqërie demokratike dhe i sigurisë juridike për të gjithë”, ka përfunduar Gashi.





