Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është marrë në pyetje nga Departamenti Special i Policisë (SPO), në kuadër të hetimeve për dhënien e shtetësisë së nderit biznesmenit nga Kosova, Naser Ramaj.
Sipas mediave malazeze, Abazoviq dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Filip Adzhiq, janë intervistuar rreth dhjetë ditë më parë nga zyrtarët e SPO-së, të cilët i kanë pyetur se mbi bazën e cilave dokumente është marrë vendimi për regjistrimin e Ramajt në shtetësinë malazeze.
Abazoviq e ka konfirmuar se ka dhënë deklaratë në cilësinë e qytetarit në ambientet e SPO-së, por nuk ka pranuar të flasë për detajet e marrjes në pyetje.
Hetimi i Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe SPO-së synon të përcaktojë nëse ka pasur keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë procesit të dhënies së shtetësisë së nderit për Naser Ramajn, vendim i marrë në ditët e fundit të mandatit të Qeverisë së 43-të të Malit të Zi.
Shtetësia iu dha Ramajt në bazë të kompetencës diskrecionale të qeverisë, ndërsa më herët ishin dhënë mendime pozitive nga Ministria e Financave dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare.
Në kërkesën e tij për shtetësi, të dorëzuar më 28 gusht 2023, Ramaj kishte deklaruar se ishte “një adhurues i madh i Malit të Zi” dhe se e konsideronte atë si shtetin e tij.
Megjithatë, mediat malazeze raportojnë se gjatë shqyrtimit të kërkesës autoriteteve u kishin kaluar pa u vërejtur disa çështje që lidhen me detyrimet tatimore të kompanive të tij.
Sipas raportimeve, kompania “Alart Centar” ishte në listën e debitorëve tatimorë, ndërsa kompania “Nova gradnja” ishte e bllokuar për shkak të borxheve.
Vendimi për dhënien e shtetësisë u mor më 27 tetor 2023, ndërsa vetëm katër ditë më vonë përfundoi mandati teknik i Qeverisë së Abazoviqit.
Në arsyetimin për dhënien e shtetësisë thuhej se Ramaj ishte investitor i projektit shumëmilionësh “Porto Budva”, i cili konsiderohej me rëndësi ekonomike për Malin e Zi. Po ashtu përmendej edhe veprimtaria e tij humanitare.
Por më vonë biznesmeni kosovar u përball me një procedurë penale. Në gusht të vitit 2024, Policia e Malit të Zi njoftoi se Ramaj dyshohej se kishte dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth 2.2 milionë euro.
Ai u arrestua dhe më pas u la të mbrohej në liri, me masën e konfiskimit të pasaportës.
Prokuroria në Kotor ngriti aktakuzë ndaj Ramajt, kompanisë së tij “Alart Centar Budva – CG” dhe drejtueses së saj, nën dyshimet për shmangie të detyrimeve tatimore.
Ndërkohë, kryeministri aktual i Malit të Zi, Milojko Spajiq, kishte kërkuar nisjen urgjente të procedurës për heqjen e shtetësisë së nderit të Ramajt, duke pretenduar se ajo ishte marrë mbi bazën e të dhënave të pavërteta dhe mashtrimit të institucioneve.
Spajiq kishte deklaruar se rasti mund të dëmtojë interesat jetike të Malit të Zi dhe se dhënia e shtetësive pa kritere të qarta mund të krijojë hapësirë për klientelizëm dhe korrupsion politik. /Vijesti





