Kolegji AAB

Gazetari serb: Paunoviq nuk zbuloi asgjë të re, spastrimi etnik i shqiptarëve u krye në Kosovë në vitin 1999

Gazetari dhe shkrimtari serb Tomislav Markoviq ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres serbe për Administratën Shtetërore dhe Vetëqeverisjen Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Në një tekst autorial të publikuar për Antena M, Markoviq vlerëson se deklarata e ministres nuk është thjesht një skandal verbal, por pasqyron një ideologji që, sipas tij, tashmë është zbatuar gjatë luftës në Kosovë.

“Keqardhja e ministres për mundësinë e humbur për të kryer spastrim etnik të shqiptarëve nga Kosova është krejtësisht e gabuar, sepse kjo tashmë ndodhi. Slobodan Millosheviqi dhe forcat e tij ushtarake, policore e paramilitare e kryen spastrimin etnik të shqiptarëve në vitin 1999”, shkruan Markoviq.

Ai rikujton se gjatë luftës, forcat serbe dëbuan rreth 900 mijë shqiptarë drejt Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi, por shton se ky spastrim ishte i përkohshëm, pasi shqiptarët u kthyen në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe nga Kosova.

Duke komentuar përpjekjen e Paunoviqit për ta zbutur deklaratën e saj, kur tha se ndoshta duhej të kishte përdorur termin “deportim” në vend të “spastrimit etnik”, Markoviq shkruan:

“Duhet të jesh vërtet idiot që të mendosh se është më mirë të përdorësh termin ‘deportim’ sesa ‘spastrim etnik’. Edhe deportimi është krim kundër njerëzimit.”

Në tekstin e tij, autori rikujton disa nga krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë, duke përmendur masakrat në Luginën e Rekës pranë Gjakovës, Landovicë dhe Lubeniq, si dhe zhvendosjen e trupave të viktimave në varrezat masive të Batajnicës, pranë Beogradit.

Ai kritikon ashpër shoqërinë dhe institucionet serbe për mohimin e krimeve të luftës.

“Dominon mohimi i plotë i së keqes që e kemi kryer si bashkësi politike, ikja nga përgjegjësia dhe fshehja e së vërtetës”, shkruan ai.

Markoviq thotë se problemi nuk qëndron vetëm te deklarata e ministres, por edhe te fakti që ajo është funksionare e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), të cilën ai e cilëson përgjegjëse për luftërat dhe krimet e viteve ’90.

Sipas tij, nuk mjafton vetëm shkarkimi i Paunoviqit, por nevojiten masa shumë më të thella.

“Nuk mjafton që ministrja të shkarkohet. Është e domosdoshme lustracioni, ndjekja penale e përgjegjësve për krimet dhe një politikë rrënjësisht ndryshe ndaj së kaluarës”, thekson ai.

Në fund të shkrimit, Markoviq argumenton se Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të ndalojë ideologjinë që, sipas tij, çoi në luftëra, spastrime etnike, krime lufte dhe gjenocid.

“Ashtu siç nazizmi është i ndaluar në Gjermani, edhe nacionalizmi i madhserb duhet të ndalohet në Serbi. Përndryshe, herët a vonë do të kemi sërish politikanë që do të propagandojnë spastrimin etnik, e nëse u krijohen kushtet, do t’i kthejnë fjalët e tyre në vepra”, përfundon gazetari serb Tomislav Markoviq.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA