Kosova dhe Shqipëria ishin mes 66 vendeve që morën pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për atë që administrata e Presidentit Donald Trump e cilëson si “ringjalljen e terrorizmit politik”.
Takimi u drejtua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili u bëri thirrje vendeve pjesëmarrëse të forcojnë bashkëpunimin për t’iu përgjigjur kërcënimit që, sipas tij, paraqesin grupet terroriste të së majtës ekstreme.
“Kjo është një konferencë ndërkombëtare sepse po përballemi me një kërcënim ndërkombëtar, një kërcënim ndërkufitar. Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse ta përballojmë së bashku. Ose do të bashkëpunojmë përtej kufijve tanë, ose terroristët do të vazhdojnë të shfrytëzojnë boshllëqet mes tyre”, deklaroi Rubio në fjalën hapëse.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, konferenca synonte të siguronte mbështetje ndërkombëtare për luftën kundër asaj që e përshkroi si “kërcënimi në ringritje” i terrorizmit të së majtës ekstreme.
Në mesin e vendeve pjesëmarrëse ishin Shqipëria, Kosova, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Japonia, Australia, Izraeli dhe dhjetëra shtete të tjera nga Evropa, Azia dhe Amerika.
Gjatë konferencës, Rubio argumentoi se dhuna ekstremiste e së majtës është nënvlerësuar për vite me radhë në politikat kundër terrorizmit.
“Për një kohë shumë të gjatë, doktrina jonë kundër terrorizmit ka pasur një pikë të verbër kur bëhet fjalë për dhunën ekstremiste të së majtës politike”, tha ai.
Sekretari amerikan i Shtetit shtoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të rindërtojë mekanizmat e bashkëpunimit kundër terrorizmit, ashtu siç bëri në fillim të shekullit XXI përballë ekstremizmit islamik.
Edhe zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, e cilësoi ekstremizmin e së majtës si një kërcënim në rritje ndaj institucioneve demokratike, ndërsa Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, foli për forma të ndryshme të këtij fenomeni, duke përfshirë fushatat e frikësimit politik, sabotimin e institucioneve dhe aktet e dhunës.
Në një deklaratë të publikuar pas konferencës, Shtëpia e Bardhë tha se administrata Trump kishte nisur “një ofensivë globale të paprecedentë kundër kërcënimit ndërkombëtar të terrorizmit radikal të së majtës”, duke shtuar se ky fenomen do të trajtohet me të njëjtën seriozitet si terrorizmi xhihadist.





