Ministrja në detyrë e Tregtisë, Mimoza Kusari, ka thënë se zhvillimet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës e komplikojnë rrjedhën e diskutimeve për finalizimin e marrëveshjes për formimin e institucioneve.
Në një intervistë të xhiruar gjatë ditës për emisionin “Konfront”, Kusari ka theksuar se grupi brenda LDK-së që po kërkon shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, po përpiqet ta pengojë finalizimin e marrëveshjes mes dy subjekteve, LVV-LDK.
“Ashtu e thotë logjika (se zhvillimet e brendshme në LDK çojnë më larg prej një marrëveshje për presidentin), nuk është që kam informata se cili është orientimi i grupimit tjetër që e duan tërheqjen e Abdixhikut. Por duket se kjo e shtynë, e komplikon situatën në diskutim sepse në shumicën e rasteve përfaqësues të LDK-së që kanë kërkuar dorëheqjen kanë qenë ata që kanë kundërshtuar bashkëpunimin me VV-në. Këto dyja po shihen si të ndërlidhura përkundër që argumentimi është rezultati i zgjedhjeve. Shihet qartë se përpjekja është për të mos u lënë për tu arritur një finalizim i një marrëveshje të përbashkët mes dy subjekteve”, ka thënë Kusari.
KOHA gjatë ditës ka raportuar se të premten LVV-ja dhe LDK-ja kishin arritur marrëveshje në parim për të bashkëqeverisur. Pas publikimit të këtij lajmi, Abdixhiku në Facebook ka deklaruar se për shkak të nismës për shkarkimin e tij tërhiqet nga diskutimet me LVV-në për formimin e institucioneve. /Koha.net






