Google ka rikthyer në gjendjen fillestare profilet e bizneseve shqiptare që u prekën nga një valë vlerësimesh negative në platformën e tij. Kompania ka hequr review-t me një yll, të cilat u lanë gjatë një fushate të koordinuar në internet, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së paraqitur nga Policia e Shtetit.
Si rezultat, profilet e bizneseve janë rikthyer në gjendjen që kishin përpara nisjes së kësaj fushate. Vlerësimi mesatar dhe numri i review-ve të shfaqura në Google janë të njëjta me ato që ekzistonin më herët.
Fushata mori përmasa të mëdha në rrjetet sociale, ku brenda një kohe të shkurtër shumë përdorues lanë vlerësime me një yll për një sërë biznesesh.
Në komentet e tyre, një pjesë e përdoruesve pretendonin se këto biznese kishin përfituar nga mbështetja e qeverisë dhe shprehën pakënaqësi edhe për qëndrimet publike të përfaqësuesve të tyre, të cilat, sipas komentuesve, ishin në kundërshtim me protestuesit.
Këto vlerësime ndikuan përkohësisht në reputacionin online të bizneseve, duke ulur mesataren e vlerësimeve në profilet e tyre në Google.
Pas shqyrtimit të rastit, Google ka hequr një pjesë të review-ve të publikuara gjatë kësaj periudhe, duke e rikthyer secilin profil në gjendjen që kishte përpara nisjes së fushatës.
Me këtë ndërhyrje, bizneset e prekura kanë rifituar vlerësimin e mëparshëm në platformë, ndërsa rasti ka rikthyer në vëmendje debatin mbi ndikimin që fushatat e koordinuara në internet mund të kenë në reputacionin dixhital të bizneseve./Tv Klan





