Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe nevojën për tejkalimin e ngërçit institucional.
Gjatë takimit, Hamza shprehu mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të Terras dhe për raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar faktin se ai riafirmon perspektivën evropiane të vendit dhe mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas njoftimit, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se raporti i Parlamentit Evropian përbën një sinjal të rëndësishëm mbështetjeje për Kosovën, por njëkohësisht edhe një thirrje që institucionet të tejkalojnë krizën politike dhe të mos lejojnë vonesa të mëtejshme në funksionalizimin e tyre.
Hamza theksoi se PDK-ja ndan shqetësimet e ngritura në raport lidhur me mungesën e institucioneve plotësisht funksionale për një periudhë të gjatë, duke nënvizuar se vendit i nevojiten institucione që marrin vendime, zbatojnë reforma dhe forcojnë besimin me partnerët ndërkombëtarë.
Ai shtoi se stabiliteti nuk duhet të kufizohet vetëm në krijimin e institucioneve, por duhet të mbështetet edhe në qeverisje demokratike, dialog politik dhe respektim të Kushtetutës.
Në përmbyllje, kreu i PDK-së shprehu vlerësimin për rolin e eurodeputetit Riho Terras dhe të Parlamentit Evropian si mbështetës të rëndësishëm të Kosovës dhe të aspiratës së saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.





