Ushtria amerikane të premten ka kryer sulme ndaj objektivave ushtarake iraniane në zonën përreth Ngushticës së Hormuzit, në përgjigje të sulmit që Teherani kreu të enjten ndaj një anijeje tregtare pranë kësaj rruge ujore strategjike, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).
“Sipas CENTCOM-it, avionët amerikanë goditën depo raketash dhe dronësh iranianë, si dhe pozicione të radarëve bregdetarë. Agresioni i pajustifikuar i forcave iraniane ndaj transportit detar komercial përbën një shkelje të qartë të marrëveshjes së armëpushimit”, thuhet në deklaratë, raporton CNN.
Sulmet erdhën pasi presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi sulmin me dron ndaj anijes në Ngushticën e Hormuzit si një “shkelje të pamend” të marrëveshjes për përfundimin e luftës me Iranin, por nuk dha shenja se incidenti do të çonte në rifillimin e luftimeve në shkallë më të gjerë.
I pyetur të premten nëse Irani do të përballet me pasoja, Trump u përgjigj shkurt para gazetarëve në Zyrën Ovale: “Do ta zbuloni.”
Presidenti reagoi fillimisht të premten në mëngjes, disa orë pas sulmit.
“Republika Islamike e Iranit lëshoi të paktën katër dronë vetëshkatërrues ndaj anijeve që po kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Njëri prej dronëve goditi drejtpërdrejt kuvertën e sipërme të një anijeje të madhe dhe shumë të shtrenjtë transportuese të mallrave”, shkroi ai në platformën Truth Social.
“U shkaktuan dëme, por anija vazhdoi lundrimin. Ne rrëzuam tre dronët e tjerë. Është e qartë se kjo është një shkelje e pamend e marrëveshjes sonë të armëpushimit”, shtoi Trump.
Pak orë më vonë, Trump tha se incidenti tregonte se Irani ende ruante një pjesë të kapaciteteve të tij ushtarake, pavarësisht luftës disamujore me SHBA-në.
“Ne ende kemi një përballje. Ata kanë ende disa kapacitete, jo shumë. Nuk po fitojnë, por mund të qëllojnë ende”, u tha ai një grupi të krishterësh konservatorë në Uashington.
“Askush nuk e pa këtë të vinte,” tha Trump për sulmin iranian. “Goditi një anije dhe shkaktoi dëme. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin.”
Më vonë, gjatë një aktiviteti në Zyrën Ovale, Trump nuk pranoi të tregonte nëse dhe si do të përgjigjej SHBA-ja ndaj incidentit, i cili ndodhi një ditë më parë dhe nënvizoi vështirësitë për rikthimin e trafikut detar në nivelet para luftës në këtë rrugë ujore jetike.
“Nuk më pëlqen fakti që qëlluan dje,” tha ai kur u pyet nëse armëpushimi mbetej ende në fuqi. “Nuk ishte një anije aleate, por ishte një anije. Një anije shumë e shtrenjtë. Pësoi disa dëme, por ishte në rregull. Nuk duhet të bëjnë gjëra të tilla.”
Kur u pyet sërish nëse SHBA-ja do të përgjigjej, ai tha: “Do ta zbuloni”, dhe më pas ndërpreu konferencën për shtyp.
Komanda Qendrore e SHBA-së, e cila mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në rajon, iu referua deklaratës së Trumpit kur u pyet për sulmin. Ndërkohë, llogaria e Departamentit amerikan të Mbrojtjes në rrjetin X publikoi tre emoji me flamurin amerikan mbi një pamje të postimit të Trumpit në Truth Social.
Ky ishte incidenti i parë që nga nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e negociatave më të thelluara për programin bërthamor iranian. Trump ka dhënë pak sinjale se është i gatshëm të rifillojë luftën, për të cilën pranoi javën e kaluar se mund të kishte sjellë “katastrofë ekonomike” nëse do të vazhdonte.
Irani e konsideron kontrollin e kësaj rruge ujore si një mjet të rëndësishëm presioni në negociata. Të enjten, Garda Revolucionare Islamike paralajmëroi se kalim i sigurt do t’u garantohej vetëm anijeve që përdornin rrugët detare të përcaktuara nga Irani.
Marrëveshja SHBA–Iran parashikonte rikthimin e trafikut detar në nivelet para luftës, por nuk përcaktonte në detaje kushtet për zbatimin e saj.
Të dyja palët kanë interpretime të ndryshme lidhur me të drejtën e Iranit për të vendosur tarifa ndaj anijeve që kalojnë nëpër ngushticë. Trump ka këmbëngulur se kalimi duhet të jetë pa pagesë, ndërsa Teherani pretendon se ka të drejtë të tarifojë anijet.
Sulmi i së enjtes ndodhi vetëm pak orë pasi Garda Revolucionare paralajmëroi se anijet do të kishin kalim të sigurt vetëm përmes korridoreve të përcaktuara nga Irani, duke sfiduar pretendimin e administratës Trump se Ngushtica e Hormuzit ishte sërish plotësisht e hapur dhe e lirë për lundrim. SHBA-ja kishte hequr bllokadën ndaj porteve iraniane pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Sipas Qendrës Britanike për Operacionet e Tregtisë Detare (UKMTO), anija e mallrave u godit në anën e djathtë nga një predhë e paidentifikuar, duke pësuar dëmtime në urën e komandimit. Nuk u raportuan viktima dhe as ndotje e mjedisit.





