Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka njoftuar se, nesër do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore 2026, afati i parë, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra të testimit në të gjithë vendin.
Në njoftim shtohet edhe se, procesi i testimit do të administrohet nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve, dhe se, testi do të fillojë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30.
Postimi:
Njoftim për mbajtjen e Testit të Maturës Shtetërore 2026
Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se nesër do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore 2026, afati i parë, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra të testimit në të gjithë vendin.
Procesi i testimit do të administrohet nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve. Testi do të fillojë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30.
Të gjithë maturantët janë të obliguar të paraqiten në qendrat e tyre të testimit më së voni në orën 09:00, për të përfunduar me kohë procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat e testimit.
Testi i Maturës Shtetërore 2026 do të zhvillohet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë kandidatët. Testi përmban 100 kërkesa, përkatësisht nga 25 kërkesa për secilën prej katër lëndëve: gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga vetë kandidati/ja.
Rikujtojmë se posedimi i telefonave mobilë dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar. Çdo kandidat/e që konstatohet se posedon telefon ose pajisje tjetër elektronike do të largohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse pajisja është përdorur apo jo.
Qendra për Vlerësim ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e suksesshëm të testit, ndërsa administruesit dhe anëtarët e komisioneve janë trajnuar dhe pajisur me udhëzimet përkatëse.
Për informata të detajuara, udhëzime dhe rregulla për kandidatët, vizitoni: https://mash.rks-gov.net/…/informata-udhezime-dhe…
Ministria e Arsimit dhe Shkencës u uron suksese të gjithë maturantëve në këtë proces të rëndësishëm të vlerësimit.





