Gjykata Supreme njofton se ka aprovuar kërkesën për masë të përkohshme të sigurimit dhe pezullon procedurën e gradimit në Policinë e Kosovës
“Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas kërkesës për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit dhe padisë së parashtruar nga paditësja V.Z. nga Vitia, kundër të paditurës Policia e Kosovës, pas seancës së kolegjit të mbajtur më 15 qershor 2026, ka aprovuar si të themeltë kërkesën për caktimin e masës së posaçme të sigurimit”, thuhet në komunikatën e Gjykatë Supreme.
Supremja njofton se me aktvendimin PA.nr.16/2026, ndalohet ekzekutimi i zbatimit të nenit 7 paragrafët 2, 3, 4 dhe 5 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policor, të nxjerrë nga Policia e Kosovës. Po ashtu, Gjykata Supreme njofton se pezullohet procedura e gradimit sipas Konkursit për Gradim të datës 28 maj 2026, e shpallur mbi bazën e dispozitave të kontestuara, deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Supreme lidhur me këtë çështje juridike administrative.
“Paditësja V.Z., nga Vitia, më 10 qershor 2026, ka paraqitur në Gjykatën Supreme padi për shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht të nenit 7 paragrafët 2, 3, 4 dhe 5 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policor, duke kërkuar njëkohësisht caktimin e masës së posaçme/të përkohshme të sigurimit. Paditësja ka pretenduar se dispozitat e kontestuara cenojnë parimin e meritokracisë dhe trajtimit të barabartë në procesin e gradimit, pasi mundësojnë që zyrtarët policorë me së paku dhjetë (10) vite përvojë aktive në Policinë e Kosovës, të cilët nuk kanë përfituar gradim gjatë kësaj periudhe, t’i nënshtrohen një procedure të veçantë gradimi dhe të aplikojnë për fitimin e dy gradave më të larta njëherazi, pa iu nënshtruar kufizimeve që lidhen me kohëzgjatjen minimale të qëndrimit në gradën paraprake. Sipas saj, një rregullim i tillë krijon avantazh për një kategori të caktuar zyrtarësh policorë në raport me ata që kanë kaluar nëpër procedurat e rregullta të gradimit dhe kanë ushtruar detyrat, përgjegjësitë dhe përvojën profesionale të lidhura me gradat përkatëse. Po ashtu, paditësja ka pretenduar se dispozitat e kontestuara mund të cenojnë strukturën hierarkike dhe zinxhirin komandues brenda Policisë së Kosovës, pasi u mundësojnë zyrtarëve policorë që nuk kanë ushtruar funksione mbikëqyrëse dhe udhëheqëse në gradën e Rreshterit të konkurrojnë drejtpërdrejt për gradën toger, në të njëjtën procedurë me zyrtarët që kanë kaluar proceset paraprake të gradimit dhe kanë fituar përvojën përkatëse në pozita mbikëqyrëse. Sipas pretendimeve të paditëses, kjo mund të ndikojë në funksionimin e sistemit të gradimit, disiplinës organizative dhe menaxhimit të personelit policor”, thuhet në komunikatën e Gjykatë Supreme.
Pas shqyrtimit të kërkesës, pretendimeve të palës paditëse, provave të paraqitura dhe dispozitave ligjore të zbatueshme, Gjykata Supreme vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore të parapara me nenin 100 të Ligjit nr. 08/L-182 për Konfliktet Administrative për caktimin e masës së posaçme të sigurimit.
Gjykata konstatoi se paditësja ka ngritur pretendime serioze lidhur me ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara, duke përfshirë pretendimet për tejkalim të autorizimit ligjor, cenim të parimit të meritokracisë, ndikim në hierarkinë dhe zinxhirin komandues, si dhe mungesë proporcionaliteti dhe arsyetimi.
Në vlerësimin paraprak të kërkesës, Gjykata arriti në përfundimin se ekziston rreziku real i shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm në rast të vazhdimit të zbatimit të dispozitave të kontestuara dhe procedurave të gradimit të bazuara në to. Gjykata vlerësoi gjithashtu se pezullimi i përkohshëm i zbatimit të këtyre dispozitave nuk cenon rëndë interesin publik, ndërsa është në përputhje me parimin e proporcionalitetit.
Duke pasur parasysh se procedura e gradimit është iniciuar mbi bazën e dispozitave që janë objekt i shqyrtimit gjyqësor dhe se përfundimi i saj para vendosjes meritore do të mund të krijonte pasoja të pakthyeshme, Gjykata konsideroi se ruajtja e gjendjes ekzistuese përmes masës së posaçme të sigurimit është e nevojshme deri në vendimin përfundimtar.
“Gjykata Supreme thekson se vendimi për caktimin e masës së posaçme të sigurimit është marrë në kuadër të shqyrtimit paraprak të çështjes dhe nuk paragjykon vendimmarrjen përfundimtare lidhur me themelësinë e padisë për shfuqizimin e pjesshëm të dispozitave të kontestuara të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026. Vendimi përfundimtar lidhur me ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara do të merret pas shqyrtimit të plotë të çështjes në procedurën gjyqësore përkatëse”, thuhet në komunikatën e Gjykatë Supreme.





