Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim emisionin më të ri të pullave postare kushtuar FIFA World Cup 2026, me rastin e hapjes së ngjarjes më të madhe futbollistike në botë.
Emisioni filatelik përbëhet nga dy pulla postare dhe një bllok filatelik, të cilat pasqyrojnë në mënyrë simbolike emocionin, pasionin dhe frymën bashkuese që sjell Kampionati Botëror. Përmes elementeve artistike dhe simbolikës së futbollit, ky emision synon të promovojë sportin, miqësinë dhe komunikimin ndërmjet popujve.
Sipas Postës së Kosovës, pullat postare përfaqësojnë më shumë sesa objekte koleksionimi, duke bartur kujtime, emocione dhe mesazhe që mund të shpërndahen përmes letrave dhe kartolinave në mbarë botën.
Kampionati Botëror FIFA 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026 në Kanadë, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë edicioni i parë në histori që organizohet nga tri shtete dhe me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve.
Posta e Kosovës u ka bërë thirrje koleksionistëve, bizneseve dhe qytetarëve që ta bëjnë pjesë të koleksioneve të tyre këtë emision të veçantë filatelik, i cili i kushtohet festës globale të futbollit.





