Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka udhëtuar drejt Mexico City, një destinacion me simbolikë të veçantë për futbollin kosovar, pasi pikërisht aty, dhjetë vjet më parë, Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota në FIFA gjatë Kongresit të organizatës më të madhe të futbollit botëror.
Me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, kreu i FFK-së do të jetë pjesë e ceremonisë dhe ndeshjes hapëse të Kupës së Botës 2026, ku do të përballen Meksika dhe Afrika e Jugut. Në këtë ngjarje madhore do të marrin pjesë drejtuesit e federatave kombëtare nga e gjithë bota.
Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ademi do të marrë pjesë edhe në Samitin e FIFA-s që organizohet në Miami, ku pritet të diskutohen tema të rëndësishme për zhvillimin e futbollit global. Po ashtu, ai do të ndjekë nga afër disa prej ndeshjeve të fazës së grupeve të Kampionatit Botëror.
Pas përfundimit të këtyre aktiviteteve, presidenti i FFK-së do të kthehet në Kosovë, ndërsa me një ftesë të veçantë nga presidenti Infantino, do të rikthehet sërish për të qenë i pranishëm në ndeshjet gjysmëfinale dhe në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026.





