Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, gjatë prezantimit të programit të partisë së vet, ka thënë se nga ky vit do të nisë përcaktimi me ligj i pagës së 13-të, derisa shtoi se do të synohet edhe rroga e 14-të.
“Pas dialogut me sektorin privat, synimi ynë është që në bashkërendim me bizneset dhe me punëtorët ta planifikojmë gradualisht edhe pagën e 14-të”, deklaroi Kurti.
Rreth këtij premtimi u deklarua kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai për Klankosova.tv e cilësoi këtë zotim si të tepruar.
“Po them mos është tepruar. Nga këndi im nuk është më tepër se sa çmenduri. Ai premtimin për rrogën e 13-të e ka mbajtur, por të njëjtin kemi pritur që do të ndodhë për sektorin privat, por kjo nuk ka ndodhur. Kemi pritur që të paktën do të mbështetemi me gjysmën e pagës. Tani del thotë se do t’i stimulojmë punëtoret e sektorit privat me nga 100 euro”, tha Azemi për Klankosova.tv. “Tash nëse ndodh paga e 14-të, kjo i bie që punëtorët e sektorit privat paguhen 15 herë më pak se punëtorët e sektorit publik, ndërkaq ne jemi financues tri herë më i madh i buxhetit se punëtorët e sektorit publik”, theksoi ai.
Ndër të tjera, kreu i Sindikatës u bëri thirrje punëtorëve të sektorit privat që të jenë më të vetëdijshëm për pozitën dhe të drejtat e tyre.
“Unë i thërras punëtorët e sektorit privat që të vetëdijësohen. Unë nuk mund t’u them atyre se kënd ta votojnë. Por, punëtorët e sektorit privat punojnë punë shumë më të rënda dhe kanë shumë më tepër punë se ata të sektorit publik, të cilët punojnë në ambiente shumë më komode. Kuptohen se ky veprim i Kurtit, është fushatë për vota”, shtoi Azemi.
Po ashtu, ai shprehu shqetësimin se një pjesë e madhe e punëtorëve të sektorit privat mund të mbeten pa përfituar nga ndarja e 100 eurove nga Qeveria.
“Kam frikë se gjysma e punëtorëve të sektorit privat do të mbesin edhe pa këtë ndarjen e 100 eurove, kjo për arsye se diku sipas statistikave të Bankës Botërore diku 30 për qind janë pa kontrata të punës, një pjesë e kompanive e kanë borxhin e programuar, sipas kritereve që i ka vendosur qeveria, derisa ndoshta 20 për qind e punëtorëve nuk i dinë t’i plotësojnë formularët që kërkohen për aplikim nga ana e Qeverisë dhe kështu do të mbesin pa 100 eurot”, përfundoi Azemi.





