Kandidatja për presidente nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpalosur detaje nga një bisedë që ka zhvilluar me presidentin amerikan Donald Trump, duke theksuar rëndësinë e raporteve të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një deklaratë në Kanal10, Osmani tha se për Kosovën është jetike që presidenti i vendit të ketë afërsi dhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë me ShBA-në, si aleat strategjik dhe ekzistencial.
Ajo tregoi se në një takim me sekretarin Marco Rubio, është përmendur edhe një pyetje e dërguar nga Trump për Osmanin.
Osmani tha se përgjigjja e saj ka qenë e fokusuar vetëm në interesin e Kosovës, duke përfshirë çështje si NATO, njohjet ndërkombëtare, investimet dhe mbrojtja e kufijve.
“Për Kosovën është e rëndësishme që presidenti i saj, pavarësisht kush është, të këtë lloj afërsie me presidentin e ShBA-së, me aleatin tonë strategjik ekzistencial dhe për më tepër ta bëjë atë që e kam bërë unë, ta operacionalizojë tërë këtë relacion vetëm dhe vetëm në interes të Republikës së Kosovës. Unë kur jam ulur me sekretarin Rubio, fjalia e parë që ma ka thënë, ‘zonja presidente, unë sapo erdha nga Shtëpia e Bardhë dhe pyetja e presidentit Trump për ju është: çfarë mund të bëjmë ne për ju, zonja presidente’ dhe përgjigjja ime ka qenë, nga A deri në Zh vetëm për Republikën e Kosovës dhe asnjë kërkesë për vetëm time, nga çështja e anëtarësimit në NATO tek përmbyllja e procesit të njohjeve, tek investimet masive në sektorin e teknologjisë informative dhe në fushat e tjera, tek çështja e mbrojtjes së kufijve, dhe me këtë takim kam arritur që me nënshkrim të presidentit të ShBA-së, dhe me letrën që ma ka dërguar mua si presidente, që askush nuk guxon t’i prekë kufijtë e Kosovës dhe ShBA-ja është mbështetësi më i fuqishëm i sovranitetit dhe integritetit evropian të Kosovës”, tha ish-presidentja Vjosa Osmani.





