Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, me të cilin ka biseduar për zhvillimin e kryeqytetit dhe çështje me interes për qytetarët.
Jahjaga ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e fuqizimit të grave dhe të rinjve, si edhe për nevojën e krijimit të hapësirave më gjithëpërfshirëse për qytetarët.
Ajo ka vlerësuar lartë punën e kryetarit Rama dhe ekipit të tij, duke theksuar se Prishtina ka potencial të jashtëzakonshëm për të qenë shembull i zhvillimit, inovacionit dhe angazhimit qytetar.
“Prishtina ka potencial të jashtëzakonshëm për të qenë shembull i zhvillimit, inovacionit dhe angazhimit qytetar, dhe këtë më së miri po e dëshmon edhe puna e palodhur e Kryetarit Rama dhe ekipit të tij”, ka shkruar Jahjaga.
Në fund, ajo e ka falënderuar kryetarin e Prishtinës për bashkëpunimin dhe qasjen profesionale ndaj kauzave në interes të qytetarëve.





