Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka reaguar ndaj ministres së Drejtësisë në detyrë dhe bashkëkryetares së Partisë Guxo, Donika Gërvalla-Schwarz, pas deklaratës së saj se e respekton qëndrimin e Fatos Gecit lidhur me ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Altin Krasniqi i është drejtuar Gërvallës duke thënë se ajo jo vetëm që e respekton atë që ka thënë Geci, por edhe e dëshiron atë.
“Ti, Donikë, jo veç që e respekton atë që e thotë Fatosi, por edhe e dëshiron atë që e thotë Fatosi”, ka shkruar Krasniqi.
Ai tha se beson në drejtësi dhe se, nëse drejtësia ekziston, ish-presidenti Hashim Thaçi, si dhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të kthehen në Kosovë.
“Epilogun e kësaj gjykate unë nuk e di. Di vetëm se besoj në drejtësi, e nëse drejtësia ekziston, babi, Hashimi, Kadria dhe Rexha kanë me u kthy”, ka deklaruar ai.
Krasniqi tha se historia do të ndajë qartë ata që, sipas tij, do të mbeten në anën e ndritur të saj dhe ata që do të mbeten në anën e errët.
“Janë dy anë të historisë: ajo ana e bardhë dhe e ndritur, në të cilën babi, Hashimi, Kadria dhe Rexha kanë me jetu përjetësisht me lavdinë më të madhe që mundet me e pasë njeriu; atë të heroit dhe të çlirimtarit.”
“Po është edhe ana e errët e historisë, ana e zezë apo Schwarz; aty, kokëulur, ti ki me jetu gjatë”, ka përfunduar Krasniqi.





