Google prezantoi modelin e syzeve të reja inteligjente, duke u rikthyer në një treg ku gjiganti teknologjik ishte përpjekur, por pa sukses, të hynte më shumë se një dekadë më parë.
Syzet, që pritet të dalin në shitje më vonë gjatë këtij viti, do të konkurrojnë me Meta-n, e cila ka krijuar një epërsi të fortë me syzet e saj inteligjente Ray-Ban, që kanë shitur të paktën shtatë milionë njësi.
Të ashtuquajturat “syze audio” të Google do të pajisen me mikrofon, kamerë dhe altoparlant të vogël, dhe do t’u lejojnë përdoruesve të bëjnë telefonata, të dëgjojnë muzikë, të bëjnë fotografi dhe të komunikojnë me asistentin e inteligjencës artificiale Gemini.
Kompania, e cila nuk dha një datë të saktë publikimi apo detaje për çmimin, prezantoi dy koleksione në konferencën e saj vjetore për zhvilluesit Google I/O pranë selisë në MountainView, Kaliforni: një nga marka amerikane e syzeve WarbyParker dhe një tjetër nga stilisti koreano-jugor GentleMonster.
Samsung u mor me zhvillimin teknik. Syzet do të jenë të pajtueshme si me telefonat Android, ashtu edhe me ata të Apple.
Për Google, ky prezantim shënon një rikthim të shumëpritur në një sektor ku kompania pësoi një nga dështimet më të njohura: GoogleGlass, dalë në vitin 2013 me një kamerë të integruar, i cili u hoq nga tregu pasi shkaktoi shqetësime të mëdha për privatësinë dhe mbikëqyrjen.
Këtë herë, kompania po mbështetet te dizajni për të fituar konsumatorët.
Modeli i Google me kamerë ka të ngjarë të përballet me të njëjtat pyetje për privatësinë që kanë ndjekur Meta-n.
Google po punon gjithashtu për syze me ekran të integruar, të ngjashme me modelin më të fundit që Meta nxori në treg në vjeshtën e vitit 2025. Ky version, i prezantuar më parë si prototip vitin e kaluar, tashmë ka avancuar më tej në testimet për zhvilluesit, njoftoi Google, pa dhënë detaje shtesë.





