Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka lëshuar një varg akuzash ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ai tha se Kurti ka deficit të madh politik dhe personal, “sepse nuk ka asnjë kontribut as në luftën çlirimtare dhe as në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”.
“Prandaj, në vazhdimësi përpiqet ta mbulojë këtë mungesë me propagandë, duke sulmuar figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si ‘hajna’ e ‘kriminelë’ dhe, me ligësinë më të madhe, duke tentuar që familjet më të mëdha atdhetare t’i bëjë pjesë të diskursit të fushatës”, tha Rama në një postim në Facebook.
Ai tha se për gjashtë vjet në pushtet, Kurti e ka zhytur vendin në varfëri dhe stagnim. “Pa ASNJË projekt madhor, pa zhvillim kapital dhe pa ASNJË rezultat konkret. ASNJË. ZERO”.
“Në mungesë të rezultateve, ai vazhdon të mbështetet në propagandë”, shkroi më tej kreu i Kryeqytetit.
Rama tha se po pret të shohë se “me çfarë do të vendosë ta vazhdojë fushatën: me ndonjë kërcënim për jetë! Me ndonjë premtim për mërgatën! Apo me një tjetër episod patriotik propagandues me Serbinë”.
“Kryeministër, qytetarët nuk kanë nevojë për filma propagandistikë të kohës së komunizmit. U ke borxh program, zhvillim dhe mirëqenie! Sa i ke varfëru na tregun raportet”, deklaroi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.





