Hoxha nga Drenasi, Osman Musliu, nuk është përmbajtur nga lotët, të premten, kur gjatë një adresimi para faljes së namazit të xhumasë në xhaminë e këtij qyteti njoftoi besimtarët që ishin këtu, se më nuk do të jetë imam në këtë objekt fetar.
Mulla Osmani, siç njihet ky klerik mysliman, në Drenicë dhe gjithë Kosovën, ka vendosur të futet në politikë, duke iu bashkuar Lëvizjes vetëvendosjë si kandidat I kësaj partie për deputet në zgjedhjet e 7 qershoti.
Në një deklarim para besimtarëve, ai tha se nuk dëshiron që asnjë xhematli i kësaj xhamie të ndihet i përjashtuar apo ta shohë imamin si mbështetës të një partie apo grupacioni politik.
Në adresimin emocional, gjatë të cilit lotët ia ndërprenë fjalët disa herë, tha se gjatë gjithë angazhimit të tij ka mbështetur atë që e ka konsideruar të mirë për vendin, fenë dhe shoqërinë, duke shtuar se do të vazhdojë të kontribuojë për Kosovën, familjen dhe fenë islame edhe jashtë detyrës së imamit.
“Edhe pse ju kam dukur ndonjëherë që i kam bërë disa lufta, përpjekje, se s’po e quaj luftë në kuptimin e parë, përpjekje me e ndaluar një të keqe që unë kam menduar që është e keqe, asnjëherë ju nuk jeni ftohur prej meje, më keni mbështetur, edhe prej sodit, unë do t’jua lypi ndihmën. Unë kam qenë borxhli me mbështetjen e juaj, edhe duhet t’jua kthej prapë, por nuk do të kryej detyrën e imamit. Pra, për arsye se nuk dua me e ndier veten keq asnjë njeri në xhami, që me thënë hoxha është mbështetës i një partie politike, apo i një grupacioni politik, por dua me qenë çdo xhemat që vjen në xhami me e ndier veten që është për Zotin, me kry obligimin e vet fetar, dhe kur imami, sepse nganjëherë njerëzit dinë me kombinu edhe dy lojëra”, ka deklaruar ai.
“Me u paraqit si apartiak, a prapaskena, unë nuk po du me u paraqit i tillë. Domethënë, as si paraqit partiak. Është e vërtetë që e kam mbështetur të mirën, e kam dashur të mirën, kam luftuar kundër të keqes, kam me luftuar kundër të keqes, pa marrë parasysh derisa, deri në frymën e fundit, do të mundohem të jem njeri që jam i dobishëm për Kosovën, për shqiptarinë, për familjen dhe për fenë. Pra, për mua janë tri, tri gjëra që s’kam lejuar kurrë me luajtur. Familja, feja dhe atdheu. Pra, unë jua bëj hallall juve të gjithëve. Kërkoj edhe ju të ma bëni hallallin mua, inshallah“, tha Musliu.
Në një intervistë për KosovaPress, pasi kreu faljen e namazit të xhumasë si imam, për herë të fundit, mulla Osman Musliu, foli për vendimin e tij për t’u përfshirë në politikë, duke theksuar se angazhimin e ri e sheh si vazhdim të kontributit të tij shumëvjeçar në shërbim të qytetarëve.
Ai tha se ky vendim nuk ka qenë i rastësishëm, por i menduar prej kohësh, duke potencuar përvojën e tij 42-vjeçare si imam në Suharekë dhe Drenas.
“Tash, këtë hap që e kam marrë, normal, kam menduar, nuk e kam bërë rastësisht, e kam menduar këtë punë unë. Edhe tetë, nëntë muaj dal veç në pension, pensionohem në aspektin ligjor. Edhe kam vendosur me u, ka afruar një ofertë, një kërkesë, që me u angazhuar në aspektin politik. Mendoj që edhe aty do të kontribuoj qysh kam kontribuuar që 42 vite, dy muaj, në popull, edhe natën edhe ditën, edhe para luftës, edhe gjatë luftës, edhe pas luftës. Në luftë me të keqen jemi qenë të gjithë. Edhe mendoj që edhe pse shkoj në Kuvend prapë kam me qenë ai hoxha unifikues, si Osmani unifikues, jo Osmani përçarës. Se unë edhe xhematit sot që i thashë, thashë na para se me qenë partiak, para se me qenë besimtarë të feve të ndryshme, na më së pari jemi vëllezër mes vete. Edhe në asnjë mënyrë nuk ja lejoj vetit me e pa dikënd në baza partiake”, u shpreh Musliu.
I pyetur në lidhje me votimin e tij të mundshëm për Kodin Civil, Musliu tha se qëndrimet e tij fetare janë të njohura, por shtoi se nuk ka zhvilluar biseda me kryeministrin Albin Kurti për këtë çështje.
“Krejt Kosova e din edhe krejt bota e din që hoxha edhe njeriu fetar çfarë qëndrimesh ka ndaj asaj. As s’kemi biseduar, e as s’ka kërkuar ai prej meje kurrgjë. Edhe mendoj që s’është puna jemja ajo. Nuk o puna jemja. Është punë e tjetërkujt, s’është puna jeme. Edhe s’e shoh ndonjë farë, ndonjë farë, as andej as këndej, është punë shtetërore, nuk o punë personale e Mulla Osmanit. Qëndrimet e Mulla Osmanit edhe ato fetare dihen. Edhe i krishterë, edhe mysliman fetar, dihet çfarë qëndrimesh kanë”, përfundoi Musliu.
Në fund, ai u pyet drejtpërdrejt nëse e kundërshton Kodin Civil, por u përgjigj shkurt: “Nuk e di, nuk e di”.
Mulla Osman Musliu ka njoftuar se do të tërhiqet nga detyra e imamit, duke theksuar se vendimi i tij vjen për të ruajtur unitetin dhe neutralitetin brenda xhamisë.





