Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, nuk i është përgjigjur ftesës për intervistim lidhur me një incident të raportuar që përfshin sulm ndaj zëvendësministrit Mehani.
Sipas Prokurorisë, lidhur me këtë rast janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa dy persona janë ndaluar në lidhje me ngjarjen.
Prokuroria ka bërë të ditur se prokurori kujdestar ka qëndruar gjatë gjithë ditës në vendin e ngjarjes në Skenderaj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ku janë mbledhur prova relevante për zbardhjen e rastit.
“Lidhur me rastin e sotëm në Skenderaj, ku si pasojë e sulmit fizik, lëndime të lehta trupore kanë pësuar dy persona me iniciale H.M. dhe B.Z., prokurori kujdestar ka qëndruar gjatë tërë ditës në Skenderaj, ku së bashku me policinë janë mbledhur prova relevante lidhur me rastin,” thuhet në njoftim.
Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se janë intervistuar viktimat dhe disa dëshmitarë të rastit.
“Janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M. dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L. dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Lëndimi i lehtë trupor’,” thuhet më tej.
Ndërkohë, dy persona të tjerë të dyshuar, me iniciale S.L. dhe K.H., ende nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim.





