Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’u dërgojë institucioneve relevante, përfshirë Këshillin Gjyqësor të Kosovës, listat e kandidatëve për verifikim para certifikimit për zgjedhje.
Sipas tij, verifikimi bëhet në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili ndalon kandidimin e personave të dënuar me vendim të formës së prerë me një ose më shumë vjet burgim gjatë tri viteve të fundit.
Elezi tha se KQZ ka vepruar njësoj edhe në proceset e kaluara zgjedhore, duke kërkuar nga institucionet përkatëse konfirmimin nëse ndonjë kandidat bie ndesh me këtë kufizim ligjor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim së bashku me listat e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit të zgjedhjeve të përgjithshme. Në këtë mënyrë KQZ ka vepruar edhe në proceset e kaluara zgjedhore. Në mesin e institucioneve që KQZ do të dërgojë është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në nenin 30 për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se kandidat nuk mund të jenë një person që në tri vitet e ufndit është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale një ose më shumë vjet burgim, andaj KQZ do të kërkojë nga KGJK verifikimin e listës së kandidatëve për të konmstatuar nëse ndonjëri prej tyre bie ndesh me këtë kufizim”, tha Elezi.





