22 C
Pristina
Tuesday, May 5, 2026

“Kosova është subjekti i procesit gjyqësor në Speciale, bërthama e saj po goditet rëndë e më rëndë”, çka tha Thaçi në intervistën nga Haga

I devijuar nga misioni i drejtësisë.

Kështu e përshkroi ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi procesin gjyqësor në Hagë ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një intervistë me shkrim për emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun. Ai tha se gjykata duhet të ofrojë drejtësi dhe jo“hakmarrje të bazuar në mashtrim”.

Thaçi ka thënë se bërthama e Kosovës, duke iu referuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është subjekti i procesit të gjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë por ajo po goditet rëndë e çdo ditë.

“ Kosova është subjekti i këtij procesi, pasi unë jam vetëm objekti. Bërthama e subjektit është duke u goditur ditë për ditë, rëndë e më rëndë. Por diçka harrohet. Rezistenca kosovare është pika më e lartë e identiteti kombëtar dhe shtetëror. Rezistenca ndaloi rrjedhën e mëtutjeshme të robërisë. Legjitimiteti i saj buron nga vullneti dhe qëllimi i drejtë i qytetarëve për liri. Është rrjedhojë e historisë me shkaqe e rrethana socio-ekonomike, kulturore, politiko-ushtarake, kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi në intervistën e tij.

Thaçi shprehu besimin se, pas dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë dhe atyre të mbrojtjes, gjykatësit do të nxjerrin një vendim të drejtë dhe meritor. Ai kujtoi se ky proces nuk lidhet vetëm me fatin e tij personal, por edhe me historinë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës.

“Në izolim po kaloj vitin e gjashtë pa vendim gjyqësor. Siç theksoi së fundmi eksperti politik amerikan Daniel Serwer, ky proces ka devijuar nga misioni. Duhet të ofrohet drejtësi e jo hakmarrje e bazuar në mashtrim. Nga ana ime, nuk kam çfarë t’i shtoj këtij konstatimi”, tha Thaçi.

“Të ishte transparent, llogaridhënës, me mekanizëm kujdestarie, të respektohej barazia e palëve, të drejtat e njeriut e, mbi të gjitha, legjislacioni i Kosovës, mbi bazën e të cilit është themeluar kjo gjykatë. Ndjekja penale të respektonte parimet themelore të kodit të etikës, që të ndiqej e vërteta kudo që të çon ajo, duke përfshirë edhe dëshmitë shfajësuese”, shtoi ai.

Thaçi u shpreh se megjithatë, beson se do të nxirret një vendim meritor dhe i drejtë në rastin e tij dhe ish krerëve të tjerë të UÇK-së.

“ Plotësisht. Historia e lirisë së Kosovës prej fillimeve të viteve 1980 e deri sot është thelbi i këtij procesi. Unë jam vetëm instrument në këtë eksperiment juridik. Nxjerrja e aktgjykimit është në duart e gjykatësve, por unë kam besim që, pas dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë e, në veçanti, atyre të mbrojtjes, të profilit dhe kredibilitetit më të lartë ndërkombëtar, ata do të nxjerrin vendim të drejtë dhe meritor. Shumëçka lidhur me legjitimitetin e së drejtës penale ndërkombëtare varet nga rezultati i këtij procesi”. tha ai.

Duke folur për jetën në Hagë, ai tha se po kalon vitin e gjashtë në izolim pa vendim gjyqësor, ndërsa qëndrimin atje e përshkroi si shkëputje të gjatë nga jeta familjare, publike dhe institucionale.

Ish-presidenti i Kosovës ka rrëfyer edhe momentet më të vështira që nga viti 2020, ku ai shkoi në paraburgim në Hagë.

Teksa bën një kthim pas në kohë, duke treguar përjetimet dhe kontributin e tij për Kosovës, një nga momentet që ai e cilëson si drama e jetës së tij është se nuk ndodhej pranë gjatë kohës që babai i tij ishte i sëmurë në spital dhe që më pas ndërroi jetë.

“Moment tjetër të cilin nuk do ta harroj kurrë ka qenë viti 2025 kur vizitova babanë në spital- nën ruajtjen e DHSK-së. Autoritetet gjyqësore më kishin refuzuar disa herë vizitën… Në fund më për arsye humanitare më lejuan të udhëtoja disi. Babai tani po lëngonte në shtrat, po kalonte orët e fundit të jetës; derisa po çmalleshim,… Përjetova çastet më të shpejta e më të rënda të jetës. Ato momente kisha veç një dëshirë, ta ndalja tik-takun e akrepave të orës…E dija se ishte hera e fundit që po e shihja të gjallë. Nuk mund të imagjinoja atë që përjetova, mbetet dramë në jetën time. Derisa po largohesha zemra po më rrihte fort, sikur po ma çante gjoksin. Truri më gjëmonte. Shikimi mu mjegullua. Trupi më ishte këputur. Duke u larguar, me të dalë në korridor takova dy motrat; ishim në distancë tre-katër metra. U përshëndetëm sikurse me lëvizje koke robotike; e kishim të ndaluar të ndërronim fjalë, të shtrëngonim duart e lere më të përqafoheshim. Por nuk ka ndalesë ligjore, urdhër apo fuqi tjetër gë mund t’i ndalojë përjetimet… shikimi i fliste shikimit. Në sytë e motrave pashë rrëketë e lotëve të dy zemrave të pastra dhimbshmërie shpirti për babanë që po i linte, si dhe për vëllanë me të cilin nuk mund ta ndanin dhimbjen dhe ngushëllimin. Atë ditë mu mohua e drejta të takoja Endritin; qëndronte para hyrjes së spitalit. U përshëndetëm në distancë. Babai kishte punuar dhe luftuar gjithë jetën për lirinë time; paradoksalisht mu privua liria dhe e drejta të qëndroj afër tij në çastet e fundit të jetës së tij. Gjatë ceremonisë së varrimit, në mungesë time, Endriti hodhi një grusht dheu edhe për mua mbi varr. Unë nuk jam rritur në kopsht fëmijësh; mënyrën si jam edukuar gjatë fëmijërisë e kam nga prindërit dhe miedisi social Megjithatë, edukatën familjare nuk ka çerdhe apo akademi që e zëvendëson apo e plotëson”, ka thënë ai.

Thaçi deklaroi me bindje se, pavarësisht faktit që ai po “tretet” në burg, rrugëtimi i Republikës së Kosovës drejt progresit është tashmë një proces i pakthyeshëm.

“E përcjell çka po ndodh në Ukrainë, Lindje të Mesme apo ngjarje të tjera botërore. E kam të përjetuar edhe sjellën “për dikë nënë e për dikë njerkë”. Nuk ka forcë fizike apo furtunë politike, e cila mund të më lëkundë besimin për qytetarët e Kosovës. Edi, sot ndonjë zyrtar apo ish-zyrtar nëpër botë edhe mund të jetë penduat krejt padrejtësisht për pavarësinë e Kosovës. Por, me ose pa Thaçin në Kosovë, ky proces i meritueshëm tashmë ka marrë fund. OK. Thaçi vazhdon të tretet në burg, por për Republikën e Kosovës jam i bindur që do të ketë progres.”

Ai hodhi akuza ndaj përpjekjeve të Serbisë për të kriminalizuar filozofinë e shtetbërjes shqiptare përmes proceseve gjyqësore aktuale. Sipas tij, liria dhe pavarësia janë fitore që nuk mund të zhbëhen më, pavarësisht lëkundjeve të mundshme diplomatike nëpër botë.

“Serbia luftoi shumë ta pengojë lirinë dhe pavarësinë – ka dështuar ta arrijë këtë për mbi tri dekada. Tani përpjekja është si ta kriminalizojë filozofinë e shtet-bërjes. A do të arrijë përmes kësaj gjykate? Nuk dua as ta mendoj. Shpresoj ende ka njerëz me vlerë morale dhe integritet profesional. Gjyqtarët gjatë procesit kanë parë të vërtetën. Të vërtetën e ka parë edhe bota. Vendimi është në dorën e tyre.”

Duke folur për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, Thaçi ka shprehur kritika ndaj Marrëveshjes së Ohrit. Ai ka thënë se ajo defunksionalizon shtetin e Kosovës.

“Dialogu Kosovë-Serbi; kështu siç duken gjërat në dy kryeqendrat, bllokada mund të vazhdojë. Është befasi si me aneksin e Ohrit, Serbia arriti të sigurojë ‘autonominë politike dhe territoriale’. Kjo defunksionalizon shtetin e Kosovës, integrimi e jo autonomia është çelësi i ecjes përpara edhe për serbët e Kosovës”.

Me keqardhje foli për një ftohje të marrëdhënieve të Prishtinës zyrtare me Tiranën.

“Do duhej të jenë më të bashkuar, bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë, rikthimin e raporteve speciale me SHBA-të, bashkëpunim më serioz me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.”

Është i bindur gjithashtu se pa heqjen e plotë të sanksioneve nga SHBA-të dhe BE-ja për Kosovën, nuk mund të ecet përpara në planin e brendshëm e as atë jashtëm.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA