Me ardhjen e Albulena Haxhiut në krye të Presidencës si ushtruese e detyrës, janë bërë disa ndryshime në misionet diplomatike të Kosovës.
Presidenca thotë se veprimet që janë ndërmarrë lidhur me përfaqësimin diplomatik dhe konsullor janë procedura të rregullta institucionale.
“Ato [veprimet] lidhen me plotësimin e pozitave të paplotësuara, përfundimin e mandateve, propozimet dhe rikonfirmimet e MPJD-së, si dhe me funksionalizimin e përfaqësimit diplomatik e konsullor të Republikës së Kosovës”- shpjegoi Presidenca përmes përgjigjeve zyrtare.
Për KALLXO.com, Presidenca ka dhënë edhe hollësi lidhur me ndryshimet që janë bërë nëpër misione.
Lirije Berisha është emëruar ambasadore e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Tajlandës, njëherësh Shefe e Misionit.
Sipas Presidencës, ky mision nuk ka pasur ambasador që nga data 24.06.2020, ndërsa rekomandimi i MPJD-së për emërimin e Berishës është bërë më 05.06.2024.
Heroina Telaku është liruar nga detyra pas përfundimit të mandatit si ambasadore e Republikës së Kosovës në Panama dhe është emëruar ambasadore e Republikës së Kosovës në Republikën e Kolumbisë.
Suzan Novobrdaliu ka përfunduar mandatin dhe është kthyer në MPJD, ndërsa në vend të saj është emëruar Kenan Tora, pas përmbushjes së kritereve të kërkuara, thotë Presidenca.
Presidenca ka shpjeguar se Vehbi Miftari është liruar nga detyra “pas konstatimit të shkeljeve të etikës profesionale dhe të cenimit të integritetit e reputacionit të shërbimit diplomatik”.
KALLXO.com ka dërguar pyetje te Miftari në lidhje me këtë arsye që ka dhënë Presidenca për lirimin e tij nga detyra, dhe është në pritje të përgjigjes.
Në vend të Miftarit, Presidenca ka njoftuar se është emëruar Ruvelt Frrokaj.
Në anën tjetër, Enis Xhemajli është emëruar ambasador i Republikës së Kosovës në Panama pas përfundimit të mandatit të Telakut.
Dy riorganizimet në përfaqësimin konsullor lidhen me funksionalizimin e Konsullatës së Përgjithshme në Dyseldorf dhe Konsullatës së Përgjithshme në Gjenevë, pas procedurave përkatëse dhe rikonfirmimeve nga MPJD.
Behar Isma është emëruar Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, me seli në Dyseldorf.
Sipas arsyetimit të Presidencës, propozimi është pranuar në Presidencë më 12.08.2024 dhe, pas përmbushjes së procedurave të përcaktuara me aktet përkatëse nënligjore, është rikonfirmuar nga MPJD.
Një riorganizim tjetër është bërë në Gjenevë.
Floreta Kabashi është emëruar Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës, me seli në Gjenevë.
Sipas Presidencës, edhe ky propozim është pranuar në Presidencë më 12.08.2024 dhe, pas përmbushjes së procedurave të përcaktuara me aktet përkatëse nënligjore, është rikonfirmuar nga MPJD.
“Pra, bëhet fjalë për vendime të bazuara në procedurë, në përfundim mandatesh, në propozime të MPJD-së dhe në nevojën që përfaqësimi diplomatik e konsullor i Republikës së Kosovës të jetë funksional dhe profesional”- tha Presidenca.
Këto ndryshime u bënë ditura pasi që u lirua nga detyra Vehbi Miftari i cili ka qenë shef i Misionit të Posaçëm diplomatik të Kosovës në Selinë e Shenjtë.
Haxhiu tha ditë më parë se në shërbimet diplomatike të Kosovës janë bërë tetë emërime të reja, tri lirime nga detyra dhe riorganizime të misioneve konsullore.
“Unë kam trashëguar një numër të madh lëndësh nga Presidentja Osmani dhe aty ku gjithçka është në rregull në raport me procedurat, natyrisht që do t’i shtyj përpara dhe në këtë drejtim janë bërë 8 emërime, 3 lirime dhe 2 riorganizime të misioneve konsullore”- tha kur u pyet nga KALLXO.com në lidhje me lirimin nga detyra e Miftarit.
Miftari, kishte njoftuar se është liruar nga pozita e tij me urdhër të ushtrueses të detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
“Ju njoftoj se këto ditë kam pranuar dekretin e U.D. Presidentes Haxhiu për lirim nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë. Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan. Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim”- ka njoftuar Miftari në Facebook, duke e përfunduar njoftimin e tij “Me përvujtni!”.
Miftari tha se “ka qenë nderi jetësor që më është bërë”, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan.
Me këtë rast, ai ka falënderuar ish-presidenten Vjosa Osmani për besimin.
“Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi”- ka shkruar Miftari.
Krejt në fund, ai tha se do të sigurohet që kur t’ia dorëzojë mandatin pasardhësit a pasardhëses, të sigurohet “që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund”. /Kallxo.com





