Bllokada politike dhe skenat e krijuara mbrëmjen e 27 prillit për zgjedhjen e presidentit të ri kanë ngjallur shqetësim tek qytetarët në Kosovë. Ata vlerësojnë se subjektet politike me veprimet e tyre po ua vështirësojnë dhe rrezikojnë mirëqenien e tyre.
“Pasha zotin topin na e kane hupë…”, tha një qytetar.
“Këta si me i pagu dikush me punu kundër interesit të shtetit…”, u shpreh një tjetër qytetar
“Kriza krejt botën, çmimet në qiell këta shkaktojnë edhe krizë politike nuk është mirë kjo…”, tha një tjetër qytetar.
Rezultati zgjedhor i 28 dhjetorit u cilësua si një mundësi që Kosova të dalë nga kriza politike që kishte hyrë për gjatë gjithë vitit 2025, megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi. Në këtë situatë edhe viti 2026 po cilësohet si i humbur në aspektin zhvillimor të vendit. Ndërkohë, drejtori i dhomës së tregtisë Kushtrim Ahmeti, thotë se situata bëhet edhe më e rëndë marr parasysh gjendjen ekonomike të krijuar në Kosovë si pasojë e zhvillimeve globale.
“Ne po shohim zhvillimet në lindje të mesme na shtrenjtuan naftën në Kosovë. Asnjë masë për qytetarët që ta përballojnë më lehtë këtë krizë nuk u ndërmor. Kemi një premtim për një pako 200 milionë në kohë të zgjedhjeve që as nuk po dihet se çfarë përmban. Dhe në fund qytetarët po ballafaqohen me rritje të varfërisë,…”, tha Ahmeti për rtv21
Krizat politike të shkaktuara siç thuhet qëllimshëm nga subjektet politike vlerësohet se janë arsyeja kryesore që qytetarët në Kosovë nuk dëshirojnë të jetojnë në Kosovë. Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu numëron humbjet ekonomike si pasojë e bllokadave politike.
“As agjendat më të rrezikshme anti Kosovë nuk do të mund t’i shkaktonin kaq shumë dëme Kosovës sa po i shkaktojnë politikanët. As vendet Evropiane nuk mund t’i përballojnë 5 palë zgjedhje në dy vjet e lëre më një shtet si Kosova…”, u shpreh Gërxhaliu.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka rritur varësinë ndaj produkteve të importit. Vetëm në mars u importuan mallra mbi 651 milionë euro, ndërsa eksportet arritën në 88.4 milionë euro, duke shënuar deficit tregtar mbi 560 milionë euro. Sipas ekspertëve të ekonomisë, varësia e krijuar nga produktet e importit është shkaktari kryesor i inflacionit dhe deficiti tregtar duhet të jetë shqetësim institucional, pasi Kosova po vazhdon të eksportojë para të gatshme.






