Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar caktimin e seancës gjyqësore në rastin penal ndaj të akuzuarit për krime lufte, Grujica Veljoviq, një proces që pritet të zhvillohet në mungesë, për shkak se ky ende nuk është kapur nga drejtësia.
Seanca pritet të nis nga ora 09:30.
Sipas njoftimit zyrtar, Veljoviq përballet me akuzën për “krime të luftës kundër popullsisë civile”, vepër që fillimisht ka qenë e paraparë me ligjin penal të ish RSFJ-së, ndërsa në legjislacionin aktual të Kosovës klasifikohet si “krime kundër njerëzimit”.
Vendimi për mbajtjen e gjykimit në mungesë është marrë pas propozimit të Prokuroria Speciale e Kosovës, duke u bazuar në faktin se i pandehuri vazhdon të jetë i paarritshëm për institucionet e rendit dhe drejtësisë.
Në të njëjtën kohë, gjykata i ka bërë thirrje publike Grujica Veljoviq që të paraqitet dhe të dorëzohet pranë autoriteteve kompetente në Kosovë, në mënyrë që procesi gjyqësor të zhvillohet me praninë e tij.






