14.4 C
Pristina
Monday, April 27, 2026

Behrami kërkon raportim të Trëndafilovës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut

Anëtari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione nga Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami, ka propozuar dërgimin e një ftese zyrtare për raportim në këtë komision parlamentar, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trandafilova.

Behrami, gjatë mbledhjes së komisionit, shpjegoi arsyet pse, sipas tij, është e nevojshme që Trandafilova të raportojë para deputetëve.

“Në këto gjashtë vite të funksionimit të kësaj gjykate, kemi qenë dëshmitarë të një devijimi shumë të madh të mandatit që deputetët e Republikës së Kosovës ia kanë dhënë kësaj gjykate. Ka pasë shumë kritika edhe nga Ombudspersoni (Avokati i Popullit) i Republikës së Kosovës me seli në Prishtinë, nga përfaqësues të të drejtave të njeriut, nga gazetarë, nga mbrojtja, shqetësime serioze për cenim të të drejtave të njeriut të të paraburgosurve, në këtë rast krerëve të UÇK-së të cilët gjenden në Hagë. Dhe kam dëgjuar po ashtu argumentet të cilat thonë se ligji të cilin e kemi miratuar në Kuvend nuk e lejon një gjë të tillë. Mirëpo, unë fola edhe një herë për këtë devijim që ka ndodhur nga mandati i kësaj gjykate. Dhe unë mendoj që kjo neve na jep të drejtë që si Komision për të Drejtat e Njeriut të cilat janë të drejta universale, të cilat nuk mund të ndalohen me asnjë ligj, me asnjë konventë ndërkombëtare që të monitorohen shtetasit e Republikës së Kosovës edhe në institucione ku Republika e Kosovës ka mandat, po edhe në institucione të cilat Republika e Kosovës nuk ka juridiksion”, u shpreh Behrami.

Behrami sqaroi se raportimi nuk ndërhynë në drejtësi.

“Dhe ne kemi pasur diskutime, por pikënisja ka qenë edhe fjalimi i zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të punëve të jashtme, zotëri Glauk Konjufca, i cili në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e ka zgjuar edhe një herë këtë kritikën tashmë të shpërndarë jo vetëm në Kosovë, por te të gjithë ata që kanë monitoruar Gjykatën Speciale. E cila, fatkeqësisht, nuk i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës i cili e ka krijuar, por përmes EULEX-it i raporton UNMIK-ut, duke shfrytëzuar Rezolutën 1244. Dhe unë mendoj që të gjithë ata që e kanë votuar Gjykatën Speciale, nuk e kanë votuar që kjo gjykatë t’i raportojë në çfarëdo forme EULEX-it edhe UNMIK-ut përmes Rezolutës 1244, por t’i raportojë Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Për të sqaruar edhe një gjë: tendenca jonë që kemi kërkuar një raportim të tillë nuk është që të ndërhyjmë në drejtësi. Sepse të drejtat e njeriut kur ato adresohen, nuk është ndërhyrje në drejtësi; është bash përkundrazi, është një iniciativë për me vu drejtësi. Dhe meqë jemi në fund të procesit të gjyqit në Hagë dhe të verdiktit, këtë komision edhe një raportim i tillë nuk do të ketë fare ndikim as në verdikt. Por është një komision që dëshiron të vijë deri te e vërteta se çfarë ka ndodhur atje, cilat janë të drejtat e të paraburgosurve që janë shkelur, në mënyrë që të sigurojmë edhe të vërtetën nga perspektiva e Republikës së Kosovës”, thekson ai, raporton Ekonomia Online.

Ai gjithashtu renditi shkeljet që kjo gjykatë ka bërë.

“Dhe ndër shkeljet më të mëdha ka qenë padyshim: Monitorimi i kufizuar dhe jo privat i intervistave; Pengimi i mandatit të pakufizuar të institucionit të të drejtave të njeriut; Mungesa e llogaridhënies dhe mbikëqyrjes ndaj institucioneve të Kosovës; Raportimi jashtë kornizës kushtetuese; Transparenca e ulët e qasjes, e kufizuar në informata publike; Mosrespektimi i parimit të barazisë së armëve; Pranimi i provave jo objektive, për shembull nga librat; Paqartësi mbi provat nga Serbia; Mungesa e standardit të qartë të veprës në procedurë; Monitorim, pengim i komunikimit dhe kufizimi i vizitave familjare; Paraburgim i zgjatur dhe kufizime pa proporcionalitet; Mungesë e mekanizmit të pavarur të ankesave dhe mbikëqyrjes; Funksionim pa kontroll institucioni dhe transparencë efektive; Strukturë e centralizuar e gjykatës; Dyshime për pavarësi; Përfshirja e Dhomës Kushtetuese brenda strukturës; Pozita e Avokatit të Popullit brenda strukturës, që është në kundërshtim të plotë me Parimet e Parisit; Përgjimi i komunikimeve edhe me mbrojtjen; Kohëzgjatja e tepruar e paraburgimit dhe mungesa e alternativave; Mosbesim ndaj institucioneve, standard jo i barabartë, e kështu me radhë.

Pra janë një sërë shkeljesh që ndërlidhen me të drejtat e njeriut, për të cilat ne si komision kemi të drejtë që të ftojmë edhe Ombudspersonin e Dhomave të Specializuara të Republikës së Kosovës, por edhe kryetaren e këtij institucioni, për t’u informuar nga ta nëse janë respektuar të gjitha këto të drejta të njeriut, edhe nëse ka pasur devijim nga mandati i tyre, meqë në nenin 1 të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës përmendet qartë raportimi i Dick Marty-t që ndërlidhet me trafikim të organeve, një gjë që nuk është adresuar fare nga kjo gjykatë”, thotë tutje ai.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA