Organizata për cilësi në arsim ORCA ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar, siç u tha, tentimet për cenimin e pavarësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Aktivisti i ORCA-s, Dibran Hoxha, para mediave theksoi se ndërhyrjet në këtë proces rrezikojnë drejtpërdrejt integritetin e sistemit të arsimit të lartë në vend.
“Pavarësia e AKA-së duhet të mbrohet me çdo kusht dhe standardet duhet të zbatohen pa kompromis. Kuvendi i Kosovës nuk duhet të votojë një proces të komprometuar, por të ruajë integritetin institucional dhe besimin publik në sistemin e akreditimit,” deklaroi Hoxha.
Ai foli gjerësisht për zhvillimet e fundit lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke e cilësuar të gjithë procedurën si të përshpejtuar dhe problematike.
“Më 7 prill 2026, Ministria e Arsimit shpalli thirrjen publike për nominimin e tre anëtarëve vendorë në Këshillin Shtetëror të Cilësisë, me një afat aplikimi prej vetëm 8 ditësh. Për këtë thirrje aplikuan gjithsej 10 kandidatë. Më 20 prill, komisioni vlerësues u mblodh dhe brenda rreth 48 orëve përfundoi vlerësimin e të gjithë kandidatëve, duke hartuar një listë rekomandimesh që iu dorëzua ministrit Hajrullah Çeku,” tha ai.
Sipas Hoxhës, mënyra e procedimit ngre shqetësime serioze për transparencën dhe ligjshmërinë e procesit.
“Raporti është proceduar në Qeveri në mënyrë urgjente, pa qartësi nëse është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit. Ndërkohë, kandidatët e refuzuar nuk kanë marrë njoftime zyrtare dhe nuk është respektuar afati ligjor për ankimim. Këto elemente krijojnë dyshime serioze për integritetin e gjithë procesit dhe për respektimin e procedurave ligjore,” u shpreh ai.
Ai hodhi poshtë edhe arsyetimin për urgjencë në këtë proces.
“Pretendimi për mungesë kuorumi në Këshillin Shtetëror të Cilësisë nuk qëndron. Përbërja aktuale e këtij organi garanton funksionimin e tij edhe për një periudhë të konsiderueshme kohore. Nuk ka asnjë bazë faktike apo ligjore për të krijuar urgjencë artificiale për ndërhyrje në përbërjen e tij,” theksoi Hoxha.
Në deklaratën e tij, ai përmendi edhe rikthimin e një kandidature të kontestuar.
“Në këtë proces është rikthyer emri i Driton Velës, ish kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2019, i cili në vitin 2023 ishte diskualifikuar nga një proces i ngjashëm për shkak të deklarimeve të pasakta në aplikim. Ai kishte pretenduar rol akademik si bartës programi në Universitetin e Prishtinës dhe kishte paraqitur në mënyrë të pasaktë përvojën e tij akademike,” deklaroi ai.
Hoxha shtoi se edhe zhvillimet e fundit lidhur me këtë kandidat janë shqetësuese.
“Në tetor 2025, ai u përfshi në një incident publik me sjellje joakademike gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë, ndërsa në shkurt 2026 është ndëshkuar me vërejtje me shkrim nga Universiteti i Prishtinës për cenim të imazhit institucional. Pavarësisht këtij historiku, ai është rekomanduar sërish për një pozitë vendimmarrëse,” tha ai.
Sipas ORCA-s, reagimi kundër këtij procesi është më i gjerë.
“Katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile dhe rrjeti ROSCAP kanë kërkuar ndalimin e këtij procesi dhe refuzimin e listës së propozuar, duke paralajmëruar për pasoja serioze në kredibilitetin e Agjencisë dhe në pozitën e saj në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimit të cilësisë,” theksoi Hoxha.
Ai bëri thirrje për anulim të plotë të procedurës dhe nisje të një procesi të ri.
“Ky rast tregon qartë se si një proces që duhet të bazohet në meritë dhe transparencë po shndërrohet në një procedurë të përshpejtuar ku standardet relativizohen dhe kriteret anashkalohen. ORCA kërkon që ky proces të anulohet dhe të iniciohet një procedurë e re, transparente dhe e bazuar në meritë. Çdo vendim që cenon pavarësinë dhe kredibilitetin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim rrezikon drejtpërdrejt edhe pozitën ndërkombëtare të sistemit të arsimit të lartë në vend, përfshirë anëtarësimin në mekanizma si EQAR dhe ENQA,” shtoi ai.






