Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka vlerësuar ish-kongresistin amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si zë të fuqishëm në momentet më të vështira të historisë së Kosovës.
Në seancën që po mbahet për nder të tij, deputetja tha se Engel nuk kishte lidhje personale me Kosovën, por ishte thellësisht i angazhuar për kauzën e tij.
“Ai nuk kishte lidhje gjaku, nuk kishte lindur në Prishtinë, Pejë apo Gjakovë, por zemra e tij rrihte në sinkron me dhimbjet e nënave tona, me nxënësit që mësonin shqip në shtëpi private dhe me ushtarët tanë çlirimtarë. Engel ishte një mbështetës i palëkundur. Ai fliste për një popull të vogël në Ballkan që po shtypej dhe trokiste në çdo derë për të thënë se Kosova duhej të ishte e lirë”, tha ajo.
Lushaku-Sadriu veçoi në mënyrë të veçantë raportin e tij me presidentin historik Ibrahim Rugova, duke thënë se mes tyre ekzistonte një marrëdhënie besimi dhe respekti të ndërsjellë – e mbi të gjitha vizioni për Kosovën e lirë.
“Engel kishte marrëdhënie të veçantë me presidentin Ibrahim Rugova, me të cilin ndante besimin dhe respektin për vizionin e përbashkët për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Në atë miqësi mishërohej një aleancë e sinqertë, e ndërtuar mbi vlera shtetformuese”, përfundoi Lushaku-Sadriu.






