Fundi i prillit të vitit 1998 rikthen në kujtesë një ndër periudhat më të përgjakshme të luftës çlirimtare në Dukagjin, kur grupet e para të luftëtarëve që po ktheheshin me armët e lirisë ranë heroikisht në përballje me armikun, në kufirin që padrejtësisht ndante shqiptarët.
Në këtë përvjetor, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, së bashku me bashkëluftëtarë, familjarë dhe bashkëpunëtorë, ka bërë homazhe në Sllup, Hereq dhe Dujakë, në nderim të dëshmorëve të rënë.
Haradinaj theksoi se lufta dhe sakrifica e tyre përbën një nga mesazhet më të fuqishme të vendosmërisë së shqiptarëve për liri.
Ai u shpreh se dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dëshmuan se liria ishte një ideal për të cilin ia vlente çdo sakrificë, deri në vetëflijim.
“Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës! I përjetshëm qoftë kujtimi për dëshmorët e saj,” ka deklaruar Haradinaj.






