KB Drita ka kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm, duke u shpallur kampione e Ligës së Parë dhe duke siguruar rikthimin në elitën e basketbollit kosovar pas katër vitesh mungesë.
Skuadra nga Gjilani konfirmoi dominimin edhe në finalen e dytë ndaj Proton Cable Prizreni, ku triumfoi me rezultat dramatik 92:91, duke e mbyllur serinë me dy fitore të pastra.
Ndeshja vendimtare ishte një betejë e vërtetë deri në sekondat e fundit, kur Eris Zeneli realizoi pikët që vulosën titullin. Gjatë takimit u dalluan edhe Jay Walker me 20 pikë dhe Adhurim Alijaj me 19, ndërsa te prizrenasit më efikasi ishte Rron Dahsyla me 23 pikë.
Çmimi MVP i finales i takoi Adrian Ibishi, i cili kontribuoi me 18 pikë dhe 12 kërcime, duke qenë një nga shtyllat kryesore të suksesit.
Ky triumf vetëm sa vulos një edicion perfekt për “bardhekaltërit”, të cilët më herët fituan edhe Kupën e Ligës së Parë, pikërisht ndaj të njëjtit kundërshtar në finale.
Me këtë sukses të madh, Drita rikthehet fuqishëm në Superligën e Kosovës, duke paralajmëruar një kapitull të ri ambicioz në skenën kryesore të basketbollit vendor.






