Në 27-vjetorin e rrëmbimit dhe zhdukjes së 23 qytetarëve shqiptarë në fshatrat Dreth dhe Kalludër të Zubin Potokut, është rikujtuar një nga rastet më të rënda të luftës në Kosovë, i njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Përmes një reagimi publik, Kushtrim Gara udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka theksuar se bëhet fjalë për 23 jetë të ndërprera padrejtësisht, plagë që, sipas tij, mbeten ende të hapura për familjet dhe shoqërinë.
“23 jetë të ndërprera padrejtësisht… 23 plagë që nuk mbyllen kurrë… jetë, familje, histori që jetojnë me ne çdo ditë,” ka deklaruar ai.
Ngjarja ka ndodhur më 19 prill 1999, kur 23 shqiptarë, kryesisht nga rajoni i Mitrovicës, u rrëmbyen dhe u zhdukën me forcë, ndërsa deri më sot fati i tyre mbetet i pazbardhur.
“Sot, 19 prill 2026, përulemi me dhimbje e respekt para jetëve dhe kontributit të tyre, duke qëndruar pranë familjeve dhe duke kërkuar drejtësi e të vërtetën,” ka shtuar Gara.
Ai ka theksuar se edhe pas 27 vitesh, mungesa e përgjigjeve dhe e drejtësisë vazhdon të jetë shqetësuese, duke përmendur se dokumente zyrtare dëshmojnë përfshirjen e Ushtrisë Jugosllave në këtë krim.
“Edhe pas 27 vitesh, ky rast mbetet pa përgjigje. Dokumente zyrtare dëshmojnë përfshirjen e Ushtrisë Jugosllave në këtë krim, ndërsa mungesa e bashkëpunimit dhe mos hapja e arkivave vazhdojnë të pengojnë zbardhjen e fatit të tyre,” ka theksuar ai.
Në fund, është bërë thirrje që kujtimi për viktimat të mbetet i gjallë dhe përpjekjet për zbardhjen e fatit të tyre të mos ndalen.
“Kujtimi për ta nuk zbehet. Ai jeton në përkushtimin tonë për të mos harruar asnjë emër dhe për të kërkuar pa ndalur të vërtetën,” ka përfunduar Gara.






