Trajneri i Manchester United, Michael Carrick, ka konfirmuar interesimin e tij për të nënshkruar një kontratë të re me klubin. Me marrëveshjen aktuale që i skadon më 30 qershor, anglezi foli për të ardhmen e tij pas fitores së rëndësishme 1-0 ndaj Chelseat në Ligën Premier.
“Më pëlqen shumë këtu. E kuptoj situatën; jo gjithçka varet nga unë. Dua të jem pjesë e këtyre netëve, pjesë e diçkaje të veçantë dhe të vazhdoj të ndërtoj këtë ekip. Nuk kam një afat të caktuar për bisedimet,” u shpreh Carrick.
Ish-mesfushori i njohur anglez mori drejtimin e United më 13 janar dhe ka bërë një punë shumë të mirë në 12 ndeshje. Nën drejtimin e Carrick, Manchester United ka regjistruar tetë fitore, dy barazime dhe dy humbje, ndërsa aktualisht renditet në vendin e tretë në Ligën Premier.
Kujtojmë që Man United aktualisht gjendet në zonën e Champions në renditjen e Premierleague,ku pas 33 ndeshjeve ka grumbulluar 58 pikë.






