KFOR për deklaratën e Kearns se në veri po kontrabandohen armë nga Serbia: Po verifikojmë faktet

Një deklaratë e Kryetares së Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin britanik, Alicia Kearns bëri bujë dhe vuri KFOR-in e Kishën Ortodokse serbe në lëvizje.

KFOR ka thënë se janë duke verifikuar faktet dhe se do të japin një përgjigje sa më shpejt që të jetë e mundur, lidhur me deklaratën e cila ka thënë se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë, përmes autoambulancave dhe po shkarkohen në kishat ortodokse.

“Ne jemi duke verifikuar faktet dhe do të japim një përgjigje gjithëpërfshirëse sa më shpejt të jetë e mundur”- kanë thënë shkurt nga KFOR-i për Kallxo.

Kerns tha se KFOR-i britanik është në dijeni për këtë.

“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona janë vënë në dijeni për këtë dhe janë përpjekur të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, procesi i lejes zgjati shumë. Në momentin kur kishte leje– ndodhi e papritura– një ambulancë veçse kishte shkuar në kishë dhe i kishte nxjerrë jashtë përsëri të gjitha armët”- ka deklaruar Kearns.

Deputetja britanike këto deklarata i kishte thënë dje gjatë një diskutimi në kuadër të “Javës së Përkujtimit të Srebrenicës”

Dioqeza Rashkë-Prizren (KOS) thotë se e ka pranuar me shqetësim të thellë deklaratën e deputetes britanike, Alicia Kerns, të bërë në Parlamentin Britanik.

“…Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona bëhen të vetëdijshme për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – çuditërisht – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët”.

Sipas Dioqezës Rashkë-Prizren, kjo deklaratë e deputetes britanike “paraqet një akuzë tejet të rrezikshme që kriminalizon Kishën Ortodokse Serbe dhe tashmë po shfrytëzohet nga disa media kosovare me qëllim të nxitjes së urrejtjes fetare dhe etnike”.

“Këto akuza përbëjnë gjithashtu një kërcënim të drejtpërdrejtë për klerin, manastiret dhe vendet fetare”, thuhet në këtë reagim.

Dioqeza Rashkë-Prizren (KOS) thotë më tej se “ka kundërshtuar qartë çdo formë të dhunës përmes veprimeve dhe deklaratave të saj gjatë tridhjetë viteve të fundit, si para dhe pas” luftës në Kosovë.

Dhuna, thuhet më tej në deklaratë, “është në kundërshtim me parimet themelore të Ungjillit dhe me misionin e Kishës. Prandaj, dëshirojmë ta trajtojmë këtë çështje me seriozitet dhe përgjegjësi të plotë”.

Tutje, thuhet se akuzat e deputetes Kearns duhet të verifikohen urgjentisht.

“Prandaj, ne kërkojmë publikisht, përmes kësaj deklarate, që misioni i KFOR-it, në të cilin ishte vendosur njësia e lartpërmendur britanike (Royal Fusiliers), t’i bëjë të ditur publikut nëse mund të konfirmojnë pretendimet e deputetit të MB-së. Është e pamundur që ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar në KFOR ta kenë këtë informacion dhe të mos ua komunikojnë eprorëve të tyre në komandën e KFOR-it. Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, çdo zyrtar(ët) i kishës që zbulohet se është i përfshirë në keqpërdorimin e supozuar të ambienteve të KOS-it dhe shërbimit kishtar për transportin ose ruajtjen e armëve do të përballet me dënimet më të rënda të kishës dhe nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë shërbimin e tyre publik. Mirëpo, nëse KFOR-i nuk mund të konfirmojë vërtetësinë e këtyre pretendimeve, Dioqeza Rashkë-Prizren do të kërkojë një falje publike nga deputetja e lartpërmendur përmes ambasadës britanike në Prishtinë, për shkak të pretendimeve të saj nxitëse dhe të pasakta që kanë pasoja të rënda”, thuhet në deklaratën e Dioqezës Rashkë-Prizren.

Në videon e siguruar nga The Geopost shihet qartë një autoambulancë duke iu afruar , Civilna Zastites dhe duke iu treguar se ku jane armët.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA