Në fjalën e tij përmbyllëse, prokurori Naim Abazi tha se kjo fazë përmbyllëse e procedurës ka rëndësi të veçantë për rendin juridik, sigurinë publike dhe vetë shtetin e Kosovës.
Ai theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë administruar një numër i madh provash materiale dhe personale, përfshirë video-incizime, dokumente zyrtare dhe dëshmi të dëshmitarëve, të siguruara në përputhje me ligjin.
“Sipas provave, nuk kemi të bëjmë me një incident të izoluar, por me një organizim kriminal me qëllime terroriste për cenimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi Abazi.
Prokurori shtoi se pasoja fatale – vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku – i atribuohet të gjithë pjesëmarrësve në sulm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Këto veprime përbëjnë akte të mirëfillta terroriste, që kanë rezultuar me vrasje dhe plagosje të zyrtarëve policorë, si dhe me përdorim të armëve dhe mjeteve të rrezikshme, duke rrezikuar rendin kushtetues”, tha ai.
Sipas tij, edhe nga deklarimet e mëhershme, përfshirë ato të Milan Radoiçiqit, rezulton se qëllimi i grupit ka qenë destabilizimi dhe cenimi i integritetit territorial të Kosovës.
Abazi theksoi se të akuzuarit nuk janë “kalimtarë të rastësishëm”, por anëtarë aktivë të grupit, të cilët janë arrestuar në vendin e ngjarjes.
Gjatë seancës, prokurori po vazhdon elaborimin e veprimeve konkrete të secilit prej të akuzuarve që janë të pranishëm në gjykim.
Nis seanca për rastin Banjska, sot jepen fjalët përfundimtare
(Përditësuar: 09:56)Ka nisur seanca ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, ku do të jepet fjala përfundimtare e palëve. Për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit akuzohen Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq,.
Në këtë rast, Kryetari i Trupit Gjykyes, Ngadhnjim Arrni, anëtarë Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli, derisa prokuror është Naim Abazi. Përfaqësues të palës së dëmtuar avokatët Naim Rudari, Arianit Koci dhe Besjana Ismajli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e 18 marsit, akuzuari Dushan Maksimoviq ka pohuar se numri i Milan Radoiçiqit iu gjet në telefonin e tij.
Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile. Aktakuzën e plotë mund ta gjeni: KËTU.
Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist. /BetimipërDrejtësi






