Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 27-vjetorin e ngjarjeve të 12 prillit 1999 në Lubizhdë të Hasit, ku gjatë luftës në Kosovë janë vrarë civilë dhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Kurti shkroi se atë ditë forca të shumta të Batalionit të Dytë të Motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave kishin rrethuar zonën malore ku ishin strehuar banorë të fshatit Lubizhdë të Hasit.
“Si sot, 27 vite më parë, më 12 prill të vitit 1999, forca të shumta të Batalionit të Dytë të Motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave, i rrethuan malet ku ishin strehuar shumë nga banorët e fshatit Lubizhdë të Hasit. Pasi i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët e tyre, ushtarët serbë filluan t’i torturonin teksa i radhitën në rresht për t’i pushkatuar. Të mbijetuarit e kësaj masakre, kanë rrëfyer pastaj barbarinë e këtij krimi shtetëror të Serbisë ndaj banorëve të Lubizhdës së Hasit, përshkuar nga ekzekutime të planifikuara, tortura, malltretime, plaçkitje, dhunime, dëbime dhe shkatërrim pronash”, shkroi kryeministri.
Kurti ka vlerësuar se jetët e humbura përbëjnë vlerë të lartë në themelet e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
“Gjatë atyre ditëve të mesit të prillit të vitit 1999, nga fushatat kriminale të spastrimit etnik dhe gjenocidit që Serbia po kryente ndaj shqiptarëve në Kosovë, u vranë 40 civilë shqiptarë të paarmatosur. Ndërkaq, në përballje me forcat serbe dhe në mbrojtje të civilëve, ranë dëshmorë 14 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jetët e dhëna për çlirimin e Kosovës janë vlerë sublime në themelet e lirisë së popullit dhe shtetndërtimit të republikës sonë. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të rënë për lirinë e atdheut!”, shkroi Kurti.






