Inspektorët e Komunës së Gjilanit kanë shqiptuar gjobë ndaj një qytetari, pasi është konstatuar ndërhyrje e paautorizuar në infrastrukturën komunale në rrugën “Qarkore”.
Sipas njoftimit të Drejtoratit për Inspekcion, rasti është inicuar pas një ankese nga një qytetar, i cili kishte raportuar dëmtim të gypave të ujësjellësit dhe kanalizimit në këtë zonë.
Pas daljes në terren, inspektorët kanë verifikuar se në rrjetin e ujit dhe kanalizimit është ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme, duke prerë gypat ekzistues.
Për këtë shkelje, pala përgjegjëse është ndëshkuar me gjobë në vlerë prej 300 eurosh.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se pala tjetër e përfshirë në rast ka poseduar leje për lidhje në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.
Drejtoriati për Inspekcion u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë dispozitat ligjore dhe të mos ndërhyjnë në infrastrukturën publike pa leje, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të ndërmerren masa ndëshkuese.







