Një shtetas amerikan i moshës 24-vjeçare është vetëaksidentuar sot në Prevallë, ku ka mbetur i vdekur.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:00, teksa trupi i viktimës nuk është arritur që të nxirret deri në orën 21:00, ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit.
Ai tha se në operacion kanë kontribuar zjarrfikësit, ekipet e emergjencës mjekësore, si dhe vullnetarë – motoristë me ATV.
“Ju informojmë se rreth orës 21:00 është arritur të nxirret trupi i pajetë i viktimës, mashkull 24 vjeçar, shtetas i ShBA-s. Në vendngjarje, në mënyrë të koordinuar dhe me angazhim të përbashkët, kanë marrë pjesë dhe kanë ofruar ndihmë njësi të ndryshme policore, përfshirë komandantin e Stacionit Policor në Prizren dhe Njësinë Rajonale të Trafikut. Gjithashtu, në operacion kanë kontribuar zjarrfikësit, ekipet e emergjencës mjekësore, si dhe vullnetarë – motoristë me ATV, të cilët kanë ndihmuar në mënyrë aktive në nxjerrjen e trupit. Në konsultim me prokurorin, do të ndërmerren veprimet e tjera hetimore, në përputhje me procedurat”, ka deklaruar Bytyqi.






