Pas përditësimit të listës me çmime të barnave disa nga to, specifikisht ato që përdorën për hipertension janë shtrenjtuar për 13 euro, disa tjera janë liruar. Për krejt këto për Dukagjinin ka folur vet ministri Arben Vitia, që ka thënë se komisioni bëri disa gabime teknike.
Për dy muaj çmimi i ndryshoi për 13 euro e 1 cent.
Nga 21 euro e 72 cent sa ishte paraprakisht, ilaçi për hipertension “Sevikare” u bë 34 euro e 73 cent.
Për të njëjtën sëmundje po bari “Lopril” u lirua nga 3 euro e 50 cent në 1 euro e 44 cent.
Krejt këto ndryshime u bën në janar të këtij viti kur u përditësua lista e çmimeve të barnave.
Për ndryshimet me dhjetëra euro më shumë për pacientët që përdorimin e këtyre barnave e kanë të detyrueshëm, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pati një sqarim.
“ Kërkoj shumë ndjesë unë kam pas një takim me anëtarët e komisionit ku më janë paraqit disa prej këtyre barnave disa i kam paraqit unë e disa edhe sinjalizuesit dhe për shumicën e tyre e ka pa komisioni që janë disa gabime teknike që po shohim që menjëherë në përditësimin e ardhshëm me i anashkalu këto procedura”, ka thënë Vitia.
Vitia tha se ligji për nivelizimin e barnave do ta stabilizojë tregun.
“Unë kërkoj edhe mirëkuptimin edhe kërkoj falje nga qytetarët sepse këtë vit ka pasur një tronditje të tregut mirëpo ashtu siç po e shohim tash ka qenë një veprim i duhur që kemi qenë stoik që nuk jemi lëkundur pavarësisht edhe kërcënimeve”, ka shtuar Vitia.
Që çmimet do të ndryshojnë në çdo përditësim për shkak të marzhës, e thotë nënkryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha.
“Është normale që do të kemi ulje apo ngritje të çmimeve mirëpo kjo ndodh për shkak të procesit, çmimet e tyre nuk shkojnë sipas dëshirës por bazohen edhe në shtetet e rajonit”, ka thënë Haxhijaha.
Ligji për nivelizimin e çmimit të barnave u miratua në vitin 2023 dhe barnatoret detyrohen që produktet t’i shesin me çmimin e njëjtë./Tv Dukagjini






