Me afrimin e datës së përmbylljes së mandatit të Presidentes Vjosa Osmani, në diskursin publik është intensifikuar debati rreth procedurave që duhet të ndiqen në rast se nuk arrihet zgjedhja e një presidenti të ri brenda afateve të parapara.
Njohës të Kushtetutës kanë theksuar se sistemi juridik i vendit parashikon mekanizma të qartë për tejkalimin e një situate të tillë, duke garantuar vazhdimësinë e funksionimit të shtetit.
Në qendër të këtyre zhvillimeve mbetet roli i Kuvendit të Kosovës, i cili, përmes kryetares së tij, merr përkohësisht kompetencat e kreut të shtetit, si dhe detyrimin për të avancuar procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Në të njëjtën kohë, ekspertët ngrenë edhe mundësinë e zhvillimeve të tjera politike, përfshirë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nëse institucionet nuk arrijnë të përmbyllin procesin brenda afatit kushtetues prej gjashtë muajsh.
Kjo situatë po shihet si një test i rëndësishëm për funksionimin demokratik dhe për pjekurinë institucionale të vendit.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Kadri Kryeziu, për FrontOnline, ka sqaruar procedurat që parashihen me Kushtetutë në rast të mungesës së një Presidenti të zgjedhur.
Sipas tij, kjo situatë është e rregulluar qartë dhe parashikon ushtrimin e përkohshëm të funksionit të kreut të shtetit nga kryetari i Kuvendit.
“Kjo është e rregulluar me Kushtetutë. Quhet mandat i përkohshëm i Presidentit dhe këtë mandat e merr kryetari i Kuvendit. Afati kushtetues është gjashtë muaj, që nënkupton se brenda kësaj periudhe duhet të krijohen institucionet”, ka deklaruar Kryeziu, për FrontOnline.
Ai thekson se nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e Presidentit, vendi shkon në zgjedhje të reja.
“Nëse nuk ka zgjedhje të Presidentit, shkohet në zgjedhje dhe kjo duhet të ndodhë brenda gjashtë muajve – të mbahen zgjedhjet, të konstituohet Kuvendi, të formohet Qeveria dhe të zgjidhet Presidenti”, ka shtuar ai.
Ish-kryetari i KQZ-së dhe njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka sqaruar ecurinë institucionale që pritet të ndodhë pas përfundimit të mandatit të Presidentes aktuale, Vjosa Osmani.
Sipas tij, më 4 prill përfundon mandati i Osmanit dhe nga ajo datë ajo nuk do të jetë më Presidente e vendit. Baraliu thekson se, në mungesë të zgjedhjes së një presidenti të ri, vendi hyn automatikisht në fazën e procedurës për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Me datën 4 prill mbaron mandati i saj dhe Osmani më nuk është Presidente. Meqë nuk e kemi të zgjedhur Presidentin/en tjetër dhe duke u bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jemi në fazën e zgjedhjes së Presidentit. Në këtë situatë, ushtrimin e detyrës së Presidentit, me automatizëm e merr kryetarja e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Baraliu për FrontOnline.
Ai shton se kryeparlamentarja, në këtë rast, bëhet ushtruese e detyrës së Presidentit për një periudhë të kufizuar kohore.
“Ajo ka maksimalisht deri në gjashtë muaj për të ushtruar këtë detyrë, ndërkohë që duhet të zhvillohet procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri”, theksoi ai.
Sipas Baraliut, brenda këtij afati kushtetues, institucionet e vendit janë të obliguara që të përmbyllin procesin dhe të zgjedhin Presidentin e ri të Kosovës.
‘’Brenda kësaj kohe ne duhet ta zgjedhim Presidentin e vendit’’, tha ai./Front Online






