4.2 C
Pristina
Monday, March 30, 2026

Shembja e rrugës në Prishtinë, krejt çka dihet deri më tash

Shembja e rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtina të dielën si pasojë e një rrëshqitjeje të dheut ka shkaktuar bllokim të plotë të qarkullimit dhe ndërprerje të shërbimeve bazike në disa zona përreth.

Sipas njoftimit të komunës, ekipet emergjente, policia, inspektorati dhe ndërmarrjet publike kanë dalë menjëherë në vendngjarje për të siguruar zonën dhe për të parandaluar rrezikun për qytetarët. Rruga është rrethuar dhe mbetet e pakalueshme, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin këtë segment.

Si pasojë e dëmtimit të infrastrukturës, disa lagje kanë mbetur pa ujë dhe energji elektrike. Nga KRU “Prishtina” është bërë e ditur se furnizimi me ujë është ndërprerë në disa rrugë, ndërsa KOSTT ka njoftuar për ndërprerje të rrymës për një pjesë të konsumatorëve.

Shkaqet e incidentit ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Derisa disa vlerësime fillestare përmendin mundësinë e rrjedhjeve të ujit nën tokë, KRU “Prishtina” ka theksuar se dyshohet që gërmimet dhe ndërhyrjet në terren kanë ndikuar në destabilizimin e dheut dhe rrëshqitjen.

Lidhur me rastin kanë nisur edhe hetimet. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka intervistuar pronarin e kompanisë përgjegjëse për punimet, ndërsa rasti është ende në fazën fillestare të mbledhjes së provave.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nisjen e menjëhershme të hetimeve dhe ka pezulluar disa inspektorë, duke paralajmëruar masa të rrepta në rast të konstatimit të shkeljeve.

Ndërkohë, ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka deklaruar se rasti është pasojë e neglizhimit të standardeve të ndërtimit, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe vendosje të kritereve më të rrepta në të ardhmen.

Autoritetet kanë bërë të ditur se punimet për sanimin e dëmeve dhe vlerësimet teknike në terren janë duke vazhduar, ndërsa rruga do të mbetet e mbyllur deri në një njoftim tjetër.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA