Çmimet e produkteve ushqimore në tregun e Prishtinës, kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke vështirësuar përballimin e shpenzimeve ditore për qytetarët.
Si blerësit, ashtu edhe tregtarët thonë se shtrenjtimi është bërë i papërballueshëm, ndërsa sipas tyre, faktorë si inflacioni, mungesa e prodhimit vendor dhe rritja e çmimeve të naftës, po ndikojnë drejtpërdrejt në treg.
Njëri nga qytetarët, Ibrahim Rrustemi, thotë se çmimet janë rritur në mënyrë të vazhdueshme krahasuar me periudhat e mëparshme.
“Çmimet janë rritë, normalisht që janë rritë krahasuar edhe me vitin paraprak, edhe me muajt paraprak. Normal, inflacioni është ashtu diku 6.8% ose 6% nëse s’gaboj, krahasu me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Buxhetit normalisht që po i ndikon se çmimet kur rriten, oferta është e vogël në treg edhe kjo po ndikon edhe te të ardhurat e ekonomive familjare kur s’ka rritje të të ardhurave”, tha ai.
Sipas tij, e ardhmja e çmimeve mbetet e paqartë dhe varet nga faktorë të ndryshëm në treg.
Ndërkaq, qytetari tjetër, Sahit Selimi, e përshkruan situatën si alarmante, duke theksuar se rritja e çmimeve po prek ushqimet bazë.
Edhe qytetari Gjymshit Gashi vlerëson se rritja e çmimeve ka qenë e konsiderueshme gjatë vitit të fundit.
Sipas tij, faktorët klimatikë, rritja e çmimit të energjisë dhe varësia nga importi, sidomos me rritjen e çmimeve të karburanteve, kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të pemëve dhe perimeve.
Ndërkohë, tregtarët në tregun e Prishtinës, që kanë folur në kushte anonimiteti, thonë se rritja e çmimeve është e dukshme dhe e shpejtë.
“1 kille patligjana 4 euro s’ka ndodh kurrë në histori”, thotë njëri nga tregtarët në pazarin e Prishtinës.
Ata theksojnë se brenda një muaji ka pasur rritje të ndjeshme të çmimeve për shumë produkte.
Sipas një tregtari tjetër, rritja e çmimeve është intensifikuar edhe gjatë muajit të Ramazanit dhe mungesës së importit nga Turqia atë kohë.
Ndërkaq sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit totale është rritur 6% krahasuar me vitin e kaluar. Sa i përket produkteve, rritjen më të madhe të çmimeve, kanë pësuar ushqimet dhe pijet alkoolike me 8%, pasuar me pijet alkoolike dhe duhanin me një rritje prej 4.9%.
Sa i përket rritjes totale të çmimeve, sipas ASK-së, rritjen më të madhe kanë banesat, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera me 15.7%./KosovaPress






