Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, është parë dje teksa ka përcjell ndeshjen Sllovaki – Kosovë, i rrethuar me disa liderë politikë si zëvendëskryeministri i parë dhe nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, me Faton Pecin, kryetar i komunës së Mitrovicës, e Përparim Ramën, kryetar i Prishtinë.
Lidhur me këtë, sot ka reaguar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku thuhet se fotografia e publikuar ku shihet Gashi me liderët politikë ‘’ paraqet vetëm një moment të rastësishëm festiv’’, dhe se, ‘’në asnjë mënyrë nuk lidhet me ndonjë takim të planifikuar, apo afërsi personale me ndonjërin nga personat e pranishëm në atë hapësirë’
Postimi:
Sqarim për media
Prishtinë, 27 mars 2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes këtij sqarimi për media, thekson se Kryeprokurori i kësaj prokurorie, z.Zejnullah Gashi, ka qenë dje i pranishëm në stadium për të ndjekur ndeshjen futbollistike Sllovaki- Kosovë, një aktivitet sportiv publik.
Në tribunën ku ka qenë i ulur Kryeprokurori Gashi, në të njëjtën hapësirë kanë qenë të ulur edhe përfaqësues tjerë të insititucioneve të vendit si dhe te disa subjekteve politike ashtu siç edhe i kanë pasur biletat.
Fotografia e publikuar paraqet vetëm një moment të rastësishëm festiv të të gjithë kosovarëve që kanë qenë të pranishëm në stadium duke përcjellë nga afër këtë ngjarje sportive dhe në asnjë mënyrë nuk lidhet me ndonjë takim të planifikuar apo afërsi personale të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, me ndonjërin nga personat e pranishëm në atë hapësirë.






