Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë të ditur se renovimi i shkollës “Ismail Qemali” pritet të realizohet pas përfundimit të disa projekteve të reja shkollore në kryeqytet.
“Ne jemi duke i ndërtuar tashmë 10 shkolla në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Tri faktikisht vetëm se kanë përfunduar, presim që edhe tri të tjera të përfundojnë edhe këto kanë me na dhënë mundësinë pastaj që të ndërhyjmë edhe në këto shkolla ekzistuese sepse e dini që janë të mbingarkuara si rezultat që nuk kemi pasë ndërtesa fizike për me i përmbush nevojat nëpër lagje të tjera, e një numër i madh i nxënësve këtu vijnë edhe prej lagjeve të tjera pikërisht për shkak të kësaj çështjeje. Mirëpo tashti jemi shumë afër të përfundimit të shkollave të reja dhe në momentin kur këto përfundojnë kemi mundësi pastaj që të fillojmë edhe ndërhyrjet edhe në shkollën sikur ‘Ismail Qemali’”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se komuna ka si synim që gjatë viteve të ardhshme të kalojë gradualisht në sistemin e mësimit tërëditor, duke përmirësuar kushtet për nxënësit dhe mësimdhënësit. Sipas tij, investimet në arsim janë duke vazhduar, përfshirë edhe digjitalizimin e shkollave dhe pajisjen me mjete bashkëkohore.
Rama shtoi se gjatë këtij viti nuk pritet nisja e projektit të madh për renovimin e plotë të shkollës “Ismail Qemaili” por do të vazhdojnë ndërhyrjet dhe restaurimet e pjesshme. Ai theksoi se plani është që renovimi të zhvillohet me faza, pa pasur nevojë për zhvendosjen e nxënësve, duke shfrytzuar edhe kapacitetet e shkollave të reja që janë në përfundim e sipër.
Sipas tij, me përfundimin e objekteve të reja arsimore, do të lehtësohet mbingarkesa në shkollat ekzistuese dhe do të krijohen kushte për renovime të plota, përfshirë edhe shkollën “Ismail Qemali”.






