Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar rrëmbimin e pesë anëtarëve të familjes Qerkezi më 27 mars 1999 në Gjakova.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se historia e familjes Qerkezi mbetet një plagë e hapur dhe një kujtesë e përbashkët për të gjithë.
“Sot jemi në një ditë përkujtimi, mes dhembjes që nuk shuhet dhe kohës që nuk e zbeh atë. Në qendër të këtij kujtimi qëndron ajo që bart dhimbjen e pamatshme personale, e shndërruar në simbol kombëtar, Nëna Ferdonije,” ka shkruar Kurti.
Ai ka rikujtuar se më 27 mars 1999, forcat serbe rrëmbyen katër djemtë e saj – Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin – si dhe bashkëshortin Halimin, ndërsa bashkë me ta u zhdukën edhe të afërm e fqinjë.
Kurti ka përmendur edhe krime të tjera të kryera në të njëjtën periudhë në disa zona të Kosovës, përfshirë Peja, Skënderaj, Mamushë, Obiliq dhe Fushë Kosovë, ku u vranë dhjetëra civilë shqiptarë.
“Në këtë përvjetor, ne përkulemi me respekt para kujtimit të të gjithë të vrarëve dhe të zhdukurve me dhunë nga Serbia. Nderojmë sakrificën e popullit tonë, që është themeli mbi të cilin qëndron Republika jonë e lirë,” ka përfunduar ai.
Kurti e ka mbyllur mesazhin me homazhe për të rënët dhe respekt për qëndresën e Nënës Ferdonije.






