Policia e Shtetit të Shqipërisë, ka njoftuar për tre persona të arrestuar në pikën kufitare në Morinë, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar e kombëtar.
Policia shqiptare, ka bërë të ditur se të arrestuarit janë M.G , 65 vjeç banues në Kosovë, Xh.S , 47 vjeç, banues në Prishtinë, dhe, R. P., 36 vjeç, banues në Kosovë, përcjell Gazeta Express.
Të njëjtit, thekson policia atje, kërkohen për vepra të ndryshme si vjedhje, grup kriminal, organizata kriminale dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Njoftimi:
Morinë
Kapen nga Policia Kufitare e Morinës, 3 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar/kombëtar.
Strukturat e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje/dalje, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, organizuan punën në bashkëpunim me strukturat e DVP Kukës dhe si rezultat, në hyrje të RSh-së, kapën dhe arrestuan/ndaluan 3 shtetas, konkretisht:
-U kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Gjermani, shtetasi M. G., 65 vjeç, banues në Kosovë Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi Gjykata e Frankfurtit e ka dënuar me 4 vjet e 1 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja” , “Grupi kriminal” dhe “Organizata kriminale”. Nga dënim i i kanë mbetur për të kryer 18 muaj.
-U kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Kuvajt, shtetasi Xh. S., 47 vjeç, banues në Prishtinë. Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet në Kuvajt, për veprën penale “Vjedhja e rëndë”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët, vijonë procedurat për ekstradimin e këtyre 2 shtetasve.
-U kap shtetasi R. P., 36 vjeç, banues në Kosovë, pasi nga verifikimet rezultoi se ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Veprimet e tjera procedurale me këtë shtetas do të kryhen nga DVP Tiranë.






