Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot, në 27-vjetorin e vrasjes përkujtoi veprimtarët Latif Berisha dhe Agim Hajrizi.
Përmes një postimi, Abdixhiku tha se sot nderohen veprimtarët e shquar të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Latif Berisha ishte një figurë e shquar që përfshinte një mozaik të pasur angazhimesh si poet, profesor, studiues dhe veprimtar politik i palodhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kontributi i tij në arsimin në gjuhën shqipe në Kosovë është një pasuri e pazëvendësueshme dhe do të mbetet një shembull frymëzues për shumë gjenerata”.
“Agim Hajrizi ishte një sindikalist i guximshëm, i palëkundur dhe atdhetar i përkushtuar, i cili në kohët më të vështira për vendin u vu në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe të popullit të Kosovës. Si Kryesues i Sindikatës së Kuvendit të Kosovës, ai u bë zë i qëndresës qytetare dhe simbol i guximit. Në natën tragjike të 24 marsit, ai u ekzekutua bashkë me nënën dhe djalin e tij, Ilirin, në një akt mizor që tronditi mbarë vendin”, ka thënë i pari i LDK-së.
Pos tjerash, ai shtoi se Latif Berisha dhe Agim Hajrizi do të mbeten gjithmonë në kujtesë si ndër figurat më të shquara, “të cilët dhanë gjithçka për Mitrovicën dhe për tërë Kosovën”.
“Vepra dhe idealet e tyre vazhdojnë të na udhëheqin edhe sot. Lavdi jetës dhe veprës së Prof. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi!”.






