Sllovenia ka njoftuar masa të përkohshme për kufizimin e karburantit, për shkak të rritjes së ndjeshme të kërkesës në pikat e furnizimit, e nxitur nga frika për mungesa si pasojë e luftës në Iran, raportojnë mediat e huaja.
Qeveria sllovene vendosi që furnizimi të kufizohet në 50 litra në ditë për automjetet private dhe 200 litra për kompanitë dhe fermerët. Kryeministri Robert Golob deklaroi se në vend ka rezerva të mjaftueshme karburanti dhe nuk pritet mungesë, duke theksuar se depozitat janë të mbushura.
Autoritetet njoftuan gjithashtu se ushtria do të ndihmojë në shpërndarjen e karburantit në pikat e furnizimit, për të garantuar furnizim të rregullt.
Sipas kompanisë MOL Slovenia, gjatë dy javëve të fundit është regjistruar një rritje e pazakontë e kërkesës, e shkaktuar nga qytetarët që po krijojnë rezerva dhe nga rritja e fluksit të ashtuquajtur “turistë të karburantit” në kufi, të cilët furnizohen në Slloveni për shkak të çmimeve më të ulëta se në vendet fqinje.






