Apeli liron nga akuza për privim të kundërligjshëm të lirisë dy ish-drejtorët e IPK-së

Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke liruar nga akuza ish-drejtorin e Departamentit për Hetime në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), Jetullah Aliu dhe ish-drejtoreshën për Hetime Speciale në këtë institucion, Valbona Osmani, të akuzuar për privim të kundërligjshëm nga liria.

Aktgjykimi i Apelit është marrë më 25 maj 2023, nga kolegji i gjyqtarëve me përbërje nga kryetari i kolegjit Ferit Osmani dhe anëtarë gjyqtarët Kadrije Goga-Lubishtani dhe Skender Çoçaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 korrik 2022, e kishte liruar nga akuza ish-kryeshefin e IPK-së, Fitim Shishani, ndërsa me nga 1 vit e 5 muaj burgim me kusht, i kishte dënuar të akuzuarit Aliu dhe Osmani.

Ndaj këtij aktgjykimi, ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbrojtësit e të akuzuarit Aliu, avokatët Skender Musa dhe Faton Hyseni dhe mbrojtësi i të akuzuarës Osmani, avokati Florin Vërtopi.

Prokuroria kishte ushtruar ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi sanksionin penal, kurse mbrojtja për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, me propozim që të mbrojturit e tyre të shpallen të pafajshëm ose lënda të kthehet në rigjykim.

Apeli refuzoi si të pabazuar ankesën e Prokurorisë, ndërsa vendosi t’i aprovojë ato të mbrojtësve të dy të akuzuarve, ndërsa ndryshoi aktgjykimin e Themelores, duke liruar nga akuza Aliun dhe Osmanin.

Në arsyetimin e vendimit, thuhet se Apeli konstatoi se aktgjykimi i ankimuar duhet të ndryshohet përkitazi me të pandehurit Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani dhe të akuzuarit të lirohen nga akuza, kurse ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, refuzohet si e pabazuar.

Sipas Apelit, me aktgjykimin e ankimuar përkitazi me të pandehurit Aliu dhe Osmani, si rezultat i vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike është shkelur Ligji Penal sipas nenit 385, par.1, nënpar.1.3 të KPP-së në dëm të të pandehurve, pasi nga provat e administruara nuk është vërtetuar se kanë kryer veprën penale “Privim i kundërligjshëm i lirisë”.

“Kjo për faktin se nga gjitha provat dhe dëshmitë të paraqitura gjatë zhvillimit të procedurës në këtë çështje penale, nuk është vërtetuar se të pandehurit Fitim Shishani, Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani ta kenë burgosur, mbajtur të mbyllur apo në çfarëdo mënyrë tjetër ta kenë privuar nga liria të dëmtuarin-dëshmitarin Q.V, ashtu siç pretendohet në aktakuzë dhe në aktgjykimin e ankimuar”, thuhet në vendim.

Tutje, Apeli thekson se i dëmtuari nuk ishte privuar kundërligjshëm nga liria, ngase ishte marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit dhe se kjo dëshmohet edhe me procesverbalet e Stacionit Policor në Ferizaj.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA