Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion.
Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, sipas nenit 391 të KPRK-së.
Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit.
Gazeta Insajderi ka marrë vesh se në stacionin policor janë shoqëruar tre persona. Në mesin e tyre, sipas burimeve, është shoqëruar edhe ushtruesja e detyrës së kryeshefes së ARBK’së Igballe Rexha- Jashari.
Dyshimet e para janë për shkak të ndryshimit të aksioneve të pronësisë së një biznesi.
Policia ka bastisur zyret e ARBK’së, duke mos lejuar punëtorët të futen në objekt.






