Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka pritur në takim presidentin e FFK-së, Agim Ademin me bashkëpuntorë.
Shkak i këtij takimi kanë qenë edhe ndeshjet vendimtare të Kombëtares së Kosovës, ku Dardanët do të zhvillojnë ndeshjen ndaj Sllovakisë në Bratislavë.
Konjufca ka uruar krerët e FFK-së për rezultatet e mira të arritura nga Kombëtarja, derisa i ka bërë me dije se institucionet shtetërore do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta mbështetur Kosovën në këtë rrugëtim historik.
“Sot, së bashku me anëtarin e KE të FFK-së, Samir Ujkani dhe menaxherin e ekipit kombëtar, Bajram Shala, zhvilluam një vizitë pune te Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Gjatë takimit e informuam Zëvendëskryeministrin për përgatitjet rreth ndeshjes së rëndësishme kundër Sllovakisë, në kuadër të “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, si dhe për organizimin e udhëtimit të ekipit tonë drejt Bratisllavës”.
“Ai na përgëzoi për rezultatet e arritura deri më tani, duke theksuar se puna ekipore dhe angazhimi i përbashkët kanë sjellë fitore të rëndësishme dhe e kanë përfaqësuar denjësisht vendin tonë në arenën ndërkombëtare”.
“Gjithashtu vuri në pah se institucionet shtetërore do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta mbështetur Kosovën në këtë rrugëtim historik. E falënderuam Zëvendëskryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj ekipit tonë kombëtar në rrugëtimin tonë drejt realizimit të synimeve tona”, ka shkruar Ademi.







